Aksident në autostradë, vdes 58-vjeçari
Një 58-vjeçar nga fshati Këmishtaj i komunës me të njëjtën emër në Rrethin e Lushnjës është aksidentuar për vdekje dje në orët e paradites. Ai ka qenë duke udhëtuar me motoçikletën e tij kur është përplasur nga një fuoristrada me targa të Kosovës. Sokrat Gjini, baba i tre fëmijëve, po udhëtonte me motoçikletë në autostradën Lushnjë-Fier. Në vendin e quajtur "Pushimi i Shoferit", Gjini ka tentuar të lërë autostradën dhe të hyjë në rrugën e fshatit, por një fuoristrada me targa të Kosovës që po ecte me shpejtësi e ka përplasur atë në asfalt. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, e cila ka konstatuar se 58-vjeçari kishte gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia nuk ka dalë ende në një raport përfundimtar për shkakun e aksidentit, por burimet zyrtare të saj pohojnë faktin se viktima i ka prerë rrugën fuoristradës. Në këtë vend të autostradës, ku gjenden edhe hyrjet e rrugëve të shumë fshatrave të Lushnjës, ka pasur shpesh aksidente të rënda. Banorët e zonës kanë kërkuar që në këtë vend të ndërtohet një mbikalim.