Vidhet vaji i transformatorëve, dy fshatra mbeten pa drita
Rreth 200 familje në fshatrat e Fierit kanë mbetur pa energji elektrike prej dy ditësh, pasi persona të paidentifikuar kanë vjedhur vajin e transformatorëve të energjisë elektrike. Lajmi bëhet i ditur nga kreu i OSSH-së në Fier, Leonard Osmënaj, i cili që nga mëngjesi i së enjtes po udhëheq grupet e punës për të riparuar defektet e shkaktuara nga hajdutët. Por, krahas eliminimit të defekteve, drejtori Osmënaj shpjegoi se ka kërkuar edhe ndihmën e policisë dhe prokurorisë për gjetjen e fajtorëve dhe vënien e tyre para ligjit. Vjedhja e pazakontë e vajit të transformatorëve ka ndodhur në fshatrat Vadhiz dhe Mbrostar në Rrethin e Fierit. Banorët e më shumë se 200 shtëpive të këtyre dy fshatrave kanë lajmëruar ndërprerjen e energjisë mbrëmjen e së mërkurës, ndërkohë që konstatimi i shkakut të mungesës së energjisë është bërë të enjten. "Menduam për ndonjë defekt në rrjetin shpërndarës dhe pas kontrollit të detajuar për të gjithë rrjetin, mësuam se ishte ndërhyrë te transformatorët. Dikush kishte vjedhur vajin, me të cilin janë të mbushur këta transformatorë", tregoi Osmënaj, i cili shtoi se hajdutët duhet të kenë qenë specialistë të fushës. Kreu i OSSH-së tha se nga tre transformatorë janë vjedhur afro 200 litra vaj. Ky lubrifikant nuk përdoret për automjetet, por vetëm për makineritë bujqësore. Për këtë arsye, policia ka nisur të ushtrojë kontrolle në shtëpitë e fshatarëve që kanë makineri bujqësore.
Prej një viti, rrjeti shpërndarës i energjisë elektrike në Fier është bërë shpesh objekt i vjedhjeve. Vitin e kaluar, kanë qenë kabllot dhe materialet e tjera të kabinave elektrike që janë cenuar nga dora e hajdutëve dhe asnjë prej këtyre të fundit nuk është identifikuar deri më sot.
Prej një viti, rrjeti shpërndarës i energjisë elektrike në Fier është bërë shpesh objekt i vjedhjeve. Vitin e kaluar, kanë qenë kabllot dhe materialet e tjera të kabinave elektrike që janë cenuar nga dora e hajdutëve dhe asnjë prej këtyre të fundit nuk është identifikuar deri më sot.