Dënohet me 27 ditë burg shoferi pa patentë
Komisariati i Policisë së Elbasanit ka ekzekutuar një vendim penal të Gjykatës së Faktit të këtij rrethi, për një shtetas që drejtonte makinën, edhe pse nuk kishte dëshmi aftësie. Sipas burimeve zyrtare të policisë, dje është bërë ndalimi i 42-vjeçarit Mirush Mirruko, banues në qytetin e Pogradecit, pasi ishte shpallur person në kërkim për veprën penale të drejtimit të automjetit pa patentë. Mësohet se Gjykata e Elbasanit e ka dënuar pak kohë më parë Mirrukon me 27 ditë heqje lirie, pasi punonjësit e policisë së qarkullimit rrugor e kanë kapur teksa qarkullonte pa dëshmi aftësie për drejtimin e automjetit. Po dje, është kërkuar që 42-vjeçari të transferohet në vendin e vuajtjes së dënimit, në një burg të sigurisë së ulët.