Bandat me maska sulmojnë sërish bankat
Duket se grabitjet me armë dhe maska nuk përbëjnë më raste sporadike. Kohët e fundit, bankat kanë qenë më së shumti të sulmuara nga banda të rinjsh të armatosur me armë dhe maska, të cilët kënaqen duke rrëmbyer edhe shuma modeste parash krahasuar me guximin që marrin në mes të ditës dhe të kryeqytetit. Dje në mesditë, dy persona të armatosur dhe me maska në kokë, kanë kryer grabitjen e një filiali banke në kryeqytet vetëm pak minuta përpara se ajo të mbyllej. Sipas burimeve policore, mësohet se rreth orës 15:30 është grabitur dega e bankës "Raiffeisen Bank", e cila ndodhet në Unazë shumë pranë restorant "Durrësit" në Tiranë në rrugën "Ferit Xhajko". Sipas një bilanci paraprak, u njoftua se shuma e grabitur ishte 800 mijë lekë të reja. Ngjarja ka ndodhur kur në bankë ndodhej i gjithë stafi dhe disa klientë. Në mënyrë të papritur, duke shtangur edhe rojën, dy persona me armë në duar, të mbuluar edhe me kapuç të zinj, kanë hyrë brenda ambienteve, duke kërkuar shpejt të gjitha paratë që gjendeshin aty. Duke ulëritur, ata kanë paralajmëruar se do të hapin zjarr ndaj njerëzve nëse nuk bindeshin. Kështu në pak sekonda, arkëtaret, të lemerisura, kanë dorëzuar paratë që kishin në kasë dhe kasafortë. Dyshohet se dy grabitësit, sipas dëshmitarëve okularë, janë larguar urgjentisht nga dera e dytë, duke përdorur një automjet të parkuar aty pranë. Nga grupi hetimor që është ngritur pranë Komisariatit të Policisë nr. 4, dyshohet se personat që realizuan vjedhjen, kanë pasur informacion për ambientin e brendshëm dhe lëvizjet e punonjësve të sigurisë në atë moment. Pas dhënies së alarmit, policë të shumtë në numër kanë mbërritur në vendngjarje duke rrethuar dhe kontrolluar gjithë zonën. Mësohet se në gatishmëri janë vënë të gjitha komisariatet e policisë në kryeqytet, duke organizuar postblloqe të rrepta në të gjitha rrugët. Por duket se për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, policia do të ketë shumë vështirësi pasi këtë herë autorët, janë treguar të vëmendshëm dhe profesionistë, sepse përveç shumës së parave që gjetën në kasë, përpara se të largohen nën kërcënimin e armëve, kanë "sekuestruar" edhe kasetat e filmimeve të kamerave përgjuese që gjenden të instaluara në të gjitha ambientet e bankës. Shtimi i fenomenit të grabitjeve spektakolare të bankave, veçanërisht në Tiranë, ka alarmuar policinë. Por gjatë analizave të rasteve më të fundit ka rezultuar se këto vjedhje të guximshme nuk bëhen nga profesionistë, por nga të rinj, të cilët janë nën "presionin" e sigurimit të parave për të blerë drogë apo luajtur kumar. Nga ana tjetër rezulton se punonjësit e sigurisë nëpër banka, jo vetëm që shfaqin mangësi të theksuara profesionale, por ka pasur edhe raste kur është dyshuar se kanë bashkëpunuar me grabitësit. Ndërkohë për të dëshiruar, lënë edhe sistemet e mbrojtjes dhe veçanërisht ato të alarmeve, sinjalizimit për policinë dhe kamerave. Për të gjitha këto probleme, pak kohë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë i dërgoi një letër guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, nëpërmjet së cilës i kërkonte që të merreshin masa sa më shpejt për sigurinë në bankat private që operojnë në Shqipëri.
Precedentë
23 gusht 2002
Persona të panjohur grabitën degën e një banke në qytetin e Vlorës, duke plagosur një nga rojet e saj, ndërkohë që e gjithë zona ishte e përfshirë në valën e një operacioni antitrafik. Ministri i Rendit në atë kohë, Luan Rama, deklaroi në Tiranë se grabitësit kanë dashur t‘i bëjnë sfidë policisë
22 nëntor 2008
Grabitet me armë, në mes të ditës, e në qendër të kryeqytetit, filiali i bankës "Raiffeisen". Ngjarja ndodhi rreth orës 13:40 në kryqëzimin e rrugëve "Bardhyl" dhe "4 Dëshmorët" në Tiranë, kur një person i maskuar, i armatosur dhe me doreza mjeku në duar, ka hyrë në ambientin e brendshëm dhe nën kërcënimin e armës, mundi të grabisë 800000 lekë të reja
12 mars 2009
Burimet policore nga qyteti i Lezhës bënë të ditur se disa grabitës kanë mundur të vjedhin shumën e 5 milionë lekëve të reja nga një punonjës i Postës, i cili sapo kishte dalë nga banka. Persona ishin të maskuar dhe kanë sulmuar papritur personin në fjalë, gjë të cilën e kanë realizuar edhe përmes të shtënave të armëve