Fier, administrata "vodhi" 10 milionë lekë në tre muaj
Gjatë tre muajve të parë të vitit 2009, Auditi i Brendshëm i Prefekturës së Fierit, ka ushtruar dhjetë kontrolle, nga të cilat nëntë i ka përfunduar dhe një është drejt përfundimit. Në bazë të raporteve të nxjerra, Auditi ka konstatuar se në institucionet e qeverisjes vendore, si dhe në disa ndërmarrje vartëse të tyre, është shkaktuar një dëm ekonomik prej 9.9 milionë lekësh të reja. Për të gjitha shkeljet, Auditi ka ndëshkuar 49 punonjës të administratës. Mësohet se masa e ndëshkimit për abuzuesit është jo vetëm zhdëmtimi ekonomik, por edhe largimi nga puna dhe për disa të tjerë, paralajmërim për largim nga puna. Kreu i Auditit të prefekturës, Dervish Baraj, sqaroi se shkeljet e gjetura nga kontrolli janë evidentuar në prokurimet publike, paga, shpërblime si dhe në sigurimet shoqërore të papaguara për punonjësit e administratës. Baraj u shpreh se raporti përfundimtar i shkeljeve të gjetura është shoqëruar edhe me penalizime për 49 persona. Nga këta, 17 kanë marrë paralajmërimin për largim nga puna dhe 22 të tjerë gjoba dhe largim nga puna. "Gjatë periudhës së parë të vitit 2009, kemi pasur në plan kontrollin e dhjetë subjekteve. Gjashtë nga kontrollet e kryera i janë nënshtruar kontrollit të plotë, dy kontrollit tematik dhe një kontroll ka qenë investigativ. Në bazë të përfundimeve të auditimit për sigurimet kanë rezultuar 485 persona që nuk janë siguruar. Ndërsa gjysma e shumës së konstatuar si dëm është regjistruar nga institucionet tatimpaguese. Janë regjistruar shpërblime të pajustifikueshme te punonjësit e administratës, si dhe pagesa të padrejta për ta. Po kështu, është gjetur se në disa raste, nuk është zbatuar detyrimi për sigurimet shoqërore dhe tatimin mbi vlerën e shtuar", u shpreh kreu i Auditit të Brendshëm të Prefekturës së Fierit, Dervish Baraj. Ai sqaroi se së pari është kërkuar zhdëmtimi nga ata që kanë shkaktuar dëmin ekonomik dhe më pas janë marrë masa të tjera administrative.
Gjobat e vendosura për punonjësit e administratës kanë qenë deri në 200 mijë lekë të reja, ndërsa për 17 nga shkelësit, janë dhënë paralajmërime dhe për një shef finance është kërkuar largim nga puna. Kontrollet e Auditit të prefekturës janë kryer në Bashkinë e Fierit, Këshillin e Qarkut, Bashkinë e Ballshit, Ndërmarrjen e Ujësjellësit Fier, Komunën e Topojës, Komunën e Fratarit, etj.
Gjobat e vendosura për punonjësit e administratës kanë qenë deri në 200 mijë lekë të reja, ndërsa për 17 nga shkelësit, janë dhënë paralajmërime dhe për një shef finance është kërkuar largim nga puna. Kontrollet e Auditit të prefekturës janë kryer në Bashkinë e Fierit, Këshillin e Qarkut, Bashkinë e Ballshit, Ndërmarrjen e Ujësjellësit Fier, Komunën e Topojës, Komunën e Fratarit, etj.