Bllokohen 40 koli cigaresh kontrabandë
Ka udhëtuar nga Pogradeci me mallra të pazhdoganuara, por në Elbasan ka rënë në grackën e policisë. Ajo ka arrestuar në flagrancë një 28-vjeçar nga qyteti i Pogradecit, i cili kishte për detyrë të dërgonte në kryeqytet 40 koli me cigare kontrabandë. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit, nga ana e seksionit kundër krimit ekonomiko-financiar është bërë arrestimi në flagrancë i 28-vjeçarit Besnik Shuli, lindur dhe banues në qytetin e Pogradecit. I njëjti burim konfirmon se Shuli udhëtonte me një furgon të tipit "Volkswagen" me targa PG181A, me të cilin transportonte 40 koli me dy mijë paketa cigare të markës "Malboro", pa pullë fiskale, vlera e të cilave kapte shifrën e 400 mijë lekëve. Mësohet nga burime jozyrtare se automjeti i drejtuar nga 28-vjeçari pogradecar kishte kaluar "ilegalisht" në pikën kufitare të Tushemishtit në Pogradec me destinacion kryeqytetin. Rreth tre kilometra pa hyrë në qytetin e Elbasanit, tek vendi i quajtur "Ura e Lizës", policia ka kontrolluar automjetin dhe më pas ka bllokuar mallin kontrabandë. Shuli do të përballet me akuzën penale të "tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë".