Aksident në superstradë, tre plagosen
KURBIN – Një aksident me pasojë plagosjen e tre personave ndodhi dje në superstradën Laç-Milot. Ngjarja ndodhi rreth orës 08:10, kur një autoveturë tip “Seat Ibiza” me targa të huaja u përplas me një tjetër mjet tip “Nisan” në afërsi të kryqëzimit të Gjormit. Për pasojë, dy makinat përfunduan në anë të superstradës. Sipas policisë, nga aksidenti i djeshëm u plagosën rëndë tre persona. Ata u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, nga ku mësohet se gjendja e tyre është e rëndë për shkak të frakturave. Për disa minuta ky aks u bllokua, ndërsa policia mbërriti në vendin e ngjarjes për të bërë veprimet e duhura procedurale. Në sajë të hetimeve paraprake dyshohet se shkak i aksidentit ishte parakalimi i gabuar i drejtuesit të mjetit tip “Seat Ibiza”. Në dy ditët e fundit në superstradën Fushë Krujë–Lezhë kanë ndodhur tre aksidente, të cilat fatmirësisht nuk shënuan viktima, por vetëm të plagosur. r.n