E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, masivi i dheut lë të bllokuar rrugën e Currilave

 

DURRES - Vazhdon të jetë e bllokuar njëra prej korsive të rrugës Universitet-Currila. Pavarësisht se reshjet kanë pushuar, kodër-vila vazhdon të zbrazë argjilë, ndonëse në sasi më të vogla se një ditë më parë. Ndërmarrja e Mirëmbajtjes së Rrugëve ka punuar gjatë të gjithë natës, por pa arritur të hapë krejtësisht korsinë që të çon në plazhin e Currilave. Kodër-Vila e Durrësit i ngjan një “gjiganti të fjetur”, zgjimi i së cilës do të ishte katastrofik, pasi llogaritet në miliona metra kub, sasia e argjilës, e cila ka krijuar një kënd 90 gradë me rrugën e populluar. Ajo rrezikon si asnjëherë tjetër shkarjet masive të dheut. Shirat e ditëve të fundit kanë dhënë sinjale të forta se struktura e brishtë argjilore mund të sjellë së shpejti një katastrofë të vërtetë jo vetëm natyrore, por edhe njerëzore. Përballë kësaj situate, të cilësuar si tepër emergjente, Drejtoria e Shërbimit Pyjor kërkon zbatimin e shpejtë të projektit rehabilitues të kodrave të Durrësit. Në të vërtetë projekti i miratuar edhe nga KRRT-ja e drejtuar nga Lefter Koka qëndron i arkivuar prej mëse tre vjetësh. “Zbatimi i tij mbetet peng i një shifre prej 250 mijë dollarësh”, shprehet drejtori i Shërbimit Pyjor në Durrës Enver Maloku. Sipas tij, Ministria e Mjedisit zotëron vetëm gjysmën e këtyre parave, pasi pjesën tjetër duhet ta sigurojë Bashkia. Ish-kryebashkiaku Lefter Koka hartoi gjatë mandatit të tij një projekt-model, që parashikonte “fortifikimin” e kodrës me rrënjët e pemëve të mbjella. Por tashmë ky është vetëm një projekt i arkivuar, për zbatimin e të cilit, e ngre zërin me forcë Ndërmarrja e Shërbimit Pyjor. “Aleat” i agjentëve natyrorë është bërë edhe dora shkatërrimtare e njeriut. Shtëpi të shumta me apo pa leje kanë cenuar rëndë strukturën argjilore. Veç prerjes së mijërave pishave, gjatë 17 viteve tranzicion në Kodër-Vilë është bërë batërdia, duke ngritur ndërtime jashtë çdo kushti teknik.        o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›