E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga vrasësit shqiptar në Turqi, i dënuar përjetë

 

Arrestohet në Ankara të Turqisë, Aleksandër Zhulati, një nga super të kërkuarit e drejtësisë shqiptare. I shpallur në kërkim prej gati 9 vitesh për një vrasje me paramendim të ndodhur në Berat, si dhe me një vendim të dhënë në mungesë të gjykatës, që e ka dënuar atë me burgim të përjetshëm, Aleksandër Zhulatit i janë shtrënguar prangat në duar në Ankara, më 26 janar. Interpoli shqiptar prej gati dy vitesh e kishte renditur Zhulatin në listën e 9 shqiptarëve më të kërkuar në botë, por vetëm tri ditë më parë është bërë i mundur arrestimi i tij. Sipas një të përditshmeje turke, 29-vjeçari Aleksandër Zhulati prej vitesh jetonte në Turqi me një identitet të rremë dhe një pasaportë kosovare. E me gjithë tentativat e tij për t’iu fshehur policisë, ai është arrestuar dhe së shpejti pritet të nisin procedurat për ekstradimin e tij. Sipas të përditshmes bëhet e ditur se fillimisht ai nuk ka pranuar të jetë person në kërkim, duke i mëshuar faktit që nuk kishte atë emër dhe se ishte tjetër person. Por krahasimi i gjurmëve të gishtave ka zbuluar identitetin e tij të vërtetë. Tashmë Zhulatit i duhet të kalojë të gjithë pjesën tjetër të jetës pas hekurave, pasi në Shqipëri është dënuar me burgim të përjetshëm. Ndërkohë një tjetër shqiptar i kërkuar nga drejtësia shqiptare për vrasje është arrestuar në Itali. Ai është Leksi Miraka, ose i njohur ndryshe si Shpëtim Miraka dhe për të Gjykata e Elbasanit ka vendosur dënimin me 20 vjet burg për vrasje. Miraka është arrestuar nga policia italiane në bashkëpunim me agjentët e Interpolit në Arona të Italisë.  e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›