E Diel, 1 Nëntor 2026

“Plazhi i Gjeneralit”, avokati nën akuzë

 

Trazhgim Sokolaj

Një avokat është implikuar në skandalin e tjetërsimit të pronës shtetërore me sipërfaqe 48 hektarë tek “Plazhi i Gjeneralit” në bregdetin e Kavajës.
Burimet zyrtare të akuzës, konfirmuan se juristi i njohur, me iniciale Gjergji H., është marrë në cilësinë e të pandehurit në dosjen e skandalit të tjetërsimit të pronave në bregdet. Kjo dosje po hetohet prej tre muajsh nga Njësia Task-Force në Prokurorinë e Tiranës për akuzat e shpërdorimit të detyrës nga zyrtarët shtetërorë dhe falsifikimit te dokumenteve nga personat privatë. Sipas burimeve të njëjta nga prokuroria, avokati që ushtron veprimtarinë e tij në një zyrë juridike në Tiranë, akuzohet se ka “këshilluar” dhe asistuar biznesmenin VIP, që “fshihet” pas falsifikimit të dokumenteve të familjes Shijaku, me të cilat është aplikuar në mënyrë të paligjshme në AKKP për kthimin e pronës me vlerë 24 milionë euro. Implikimi i avokatit në procedurën e tjetërsimit të pronësisë së tokës në bregdet, është zbuluar nga përgjimet e bisedave telefonike. Avokati është interceptuar, teksa bisedonte me biznesmenin e akuzuar tashmë për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm” për veprimet, që janë kryer me qëllim aplikimin për kthimin e pronës në AKKP dhe përfitimin e truallit me sipërfaqe 48 hektarë tokë tek Plazhi i Gjeneralit. Avokati e ka këshilluar biznesmenin për dokumentet që nevojiteshin dhe procedurat, që duheshin ndjekur me qëllim që Agjencia e Pronave t’i kthente tokën. Veç falsifikimeve, në procedurën që ka kaluar nga të paktën dhjetë zyrtarë e punonjës të Agjencisë së Pronave, janë gjetur edhe shkelje të tjera si zhvendosja e pronës që duhej kthyer, në mënyrë abuzive dhe për interesa përfitimi nga Mali i Robit tek Plazhi i Gjeneralit.    
Avokati i biznesmenit
Tri ditë më parë në Prokurorinë e Tiranës, një biznesmen i njohur në fushën e ndërtimit, u mor edhe ai i pandehur me akuzën se ka iniciuar procedurën e tjetërsimit të pronës dhe me qëllim përfitimin e saj, ka nxitur zyrtarët dhe punonjësit e Agjencisë së Pronave dhe Hipotekës, për njohjen e titullit të pronësisë mbi bazën e dosjes së falsifikuar. Për ta bërë formalisht të rregullt gjithë procesin e aplikimit për kthimin e pronës deri tek marrja e titullit në pronësi, biznesmeni VIP është këshilluar nga avokati i çështjeve civile Gj.H. “Ky i fundit ka qenë në dijeni të falsifikimit të nënshkrimeve të familjes Shijaku, aplikimit me dosje të manipuluar dhe gjithë shkeljeve të tjera”, thanë burimet nga prokuroria. Sipas tyre, për këto shkaqe, avokati në fjalë është thirrur pak ditë më parë në Prokurori, ku është marrë i pandehur për akuzën e bashkëpunimit me nëntë të pandehurit e tjerë të dosjes, përfshi edhe ish-kryetarin e Agjencisë së Pronave Tunxh Vatnikaj, zyrtarë të Hipotekës, topografë dhe biznesmenin e ndërtimit. Në këtë mënyrë, në dosjen e skandalit të pronave implikohen edhe njerëz të drejtësisë përveç ish-zyrtarëve të Lartë të Agjencisë së Pronave, topografëve dhe biznesmenit, duke krijuar kështu një rreth të gjerë e të larmishëm personash, që kanë bashkëpunuar mes tyre në shkelje të ligjeve. Abuzimi ka ndodhur nga mesi i muajit qershor 2008 deri në shtator të vitit të njëjtë, pasi biznesmeni i njohur dhe bashkëpunëtorët e tij, falsifikuan dokumentet e vjetra të pronësisë së Nexhmi e Jonuz Shijakut dhe pa dijeninë e tyre aplikuan për kthimin e pronës në bregdet.

Sekuestro dokumenteve, bllokohet plazhi i tjetërsuar nga 10 zyrtarët

TIRANE – Ndërhyrja e Njësisë Task-Force, e cila filloi hetimet kryesisht mbi bazën e të dhënave paraprake, duket se ka shpëtuar tokën prej 48 hektarësh në Plazhin e Gjeneralit. Sipërfaqja e tokës tashmë është “bllokuar”, për shkak se të gjitha dokumentet që lidhen me tjetërsimin e pronësisë së saj, janë sekuestruar nga grupi i hetimit. “Dokumentet janë bllokuar në Zyrat qendrore të Agjencisë së Pronave, në AKKP-në e Tiranës dhe në Hipotekë. Shkresat mbi të cilat është vepruar në mënyrë të paligjshme, janë ekspertuar dhe kanë rezultuar false, në fund të procesit gjyqësor ato do të asgjësohen, ndërsa toka i ka kaluar shtetit”, thanë burimet zyrtare nga Zyra Task-Force Antikorrupsion. Sipas tyre, duke qenë se metodat speciale të hetimit u dhanë mundësi hetuesve të ndiqnin veprimet që kryenin personat e implikuar në skandal, është bërë e mundur ndërhyrja në Hipotekë, para se sipërfaqja e tokës prej 48 hektarësh të regjistrohej në emër të pronarëve fantazmë. Menjëherë pas dhënies së vendimit për kthimin e pronës nga Agjencia, prokuroria ka shkuar në Hipotekë dhe ka bllokuar dokumentet dhe procedurën, duke mos lejuar në këtë mënyrë regjistrimin e Plazhit të Gjeneralit në emër të pronarëve të rinj.                      t.s

Task-Forca: Prokuroria na mbështet për hetimin e skandalit të pronave

TIRANE – Burime zyrtare të Njësisë Task-Force Antikorrupsion, e cila po heton skandalin e pronave në bregdetin e Kavajës, por jo vetëm, thanë dje se kjo strukturë gëzon mbështetjen maksimale të Prokurorisë së Tiranës dhe Prokurorisë së Përgjithshme, për zbardhjen e abuzimeve me pronat dhe vënien para ligjit të personave përgjegjës. “Konfirmojmë se kemi një bashkëpunim të mirë dhe një qëndrim të prerë lidhur me zbardhjen e skandalit përmes hetimeve ligjore”, thanë burimet nga Zyra e Task-Forcës Antikorrupsion, duke konfirmuar mbështetjen që gëzojnë nga drejtuesit e Prokurorisë së Tiranës dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas burimeve zyrtare nga struktura e hetimit Antikorrupsion, pjesa kryesore e hetimeve të nevojshme lidhur me tjetërsimin e 48 hektarëve tokë në Kavajë tashmë është kryer, ndërsa po vazhdojnë veprimet plotësuese për plotësimin e dosjes me provat e nevojshme ligjore. “Deri më tani hetimi ka vazhduar normalisht. Kemi pasur mbështetjen dhe qëndrimin e njëjtë me Prokurorinë e Tiranës dhe Prokurorinë e Përgjithshme, për të çuar para ligjit çdo person, që provohet se ka kryer vepër penale”, thanë më tej burimet e Task-Forcës.      t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›