Bulqizë, mister për vdekjen në galeri të emigrantit
BULQIZE/ HASAN PASHA
Viktima e fundit në minierën e kromit Bulqizë ishte 38-vjeçari Arjan Duva. Të afërmit i dhanë dje lamtumirën e fundit, ndërkohë as prokuroria dhe as policia nuk kanë dhënë detaje rreth hetimit të kryer.
Nuk ka ende një version të qartë zyrtar, se kush kishte për detyrë të ndalte hyrjen e njerëzve në një minierë të bllokuar me urdhër të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Drejtues të avari-shpëtimit Tiranë, thanë nën zë se fajtore për ngjarjen e fundit ishte policia lokale, e cila sipas tyre duhet të ruante të gjitha minierat e bllokuara për shkak të rrezikshmërisë së lartë. Të njëjtën akuzë bëri publikisht dhe kryebashkiaku i Bulqizës. Por, nga ana e tyre, zyrtarët e policisë Bulqizë në asnjë rast nuk janë prononcuar për vdekjet e shumta në galeri apo stoqet e kromit. Megjithëse akuzat në drejtim të efektivave të policisë kanë qenë të shumta, deri në bashkëpunim me subjektet e palicencuara, asnjë drejtues i komisariatit të Bulqizës nuk ka folur mbi rolin e policisë në parandalimin e këtyre ngjarjeve tragjike. Policia nuk është fajtore për viktimat në minierën kryesore, por sipas institucioneve të tjera, ajo ka përgjegjësi se ka lejuar njerëzit të mbledhin krom në stoqet e kromit dhe ka toleruar shfrytëzimin e disa sektorëve të palicencuar. Herë pas here punonjës të policisë Bulqizë janë parë në zonën e parë dhe stoqet e kromit, mirëpo asnjëherë nuk kanë arritur të largojnë përfundimisht njerëzit nga minierat pirate dhe stoqet, pronë e shtetit. Të 16 viktimat në minierat e kromit kanë lënë të paktën 35 fëmijë jetimë. Janë veshur dhjetëra nëna, motra e të afërm të viktimave me të zeza. Familjarë e sindikalistë kanë drejtuar gishtin nga fajtorët, por ende nuk ka qoftë një person nën akuzë për ngjarjet tragjike. Viktimat e kromit në qytetin e varfër të Bulqizës lidhen dhe me konkurrencën e paligjshme për mbledhjen, grumbullimin dhe shitjen e kromit, sidomos në mënyrë abuzive. Janë të shumta rastet kur të fortët kanë përdorur armët e zjarrit për të zaptuar një galeri apo stok kromi. Këto fakte janë bërë publike nga media, por as policia dhe as prokuroria nuk kanë kopsitur ndonjë dosje penale. Krismat e armëve, granatave dhe fshehja e armëve në malet e Bulqizës janë evidente në masivet e kromit, ndërkohë situata nga zyrtarët e policisë paraqitet si normale. Vazhdimisht aludohet se “shkak i ngjarjeve tragjike në miniera bëhet varfëria”, ndërkohë që shkeljet e rënda ligjore normalisht kanë fajtorë. Pikërisht ky fakt shërben për të treguar se gjëja më e parëndësishme në këtë qytet është jeta. Kush është më i fortë zapton një minierë, shfrytëzon barbarisht fëmijë e gra dhe grumbullon krom me një vlerë qesharake, e shet atë në tregun e zi dhe nuk i hyn gjemb në këmbë. Firma koncesionare, Prokuroria e Dibrës dhe policia e Bulqizës deri tani kanë heshtur, paçka se viktimat janë të shumta. Ashtu si ndodhi dhe në rastin e emigrantit Arjan Duva, i cili humbi jetën në galerinë e rrezikshme, në rrethana ende të pazbardhura.