Kapet i fundmi i bandës “Rexhina”, s‘tregoi për grabitjen e makinave
TIRANE – Personi i ndaluar edhe më parë nga policia me dyshimet si anëtar i grupit të grabitjeve të makinave “Rexhina”, Sidit Bedini, është arrestuar dy ditë më parë në kryeqytet me akuzën e moskallëzimit të krimit. Ai rezultonte person i shpallur në kërkim nga policia prej gati një viti e gjysmë. Bedini në kohën kur u arrestuan gjashtë pjesëtarët e grupin “Rexhina” u la i lirë, me pretendimin e Prokurorisë se nuk kishte marrë pjesë në grabitjen me armë të makinave luksoze në Tiranë, Durrës e Kavajë. Por dëshmia e të penduarit të këtij grupi dhënë gjatë hetimeve të Prokurorisë, e implikoi edhe 23-vjeçarin Bedini në veprimtarinë kriminale të të arrestuarve të tjerë, Edmond Neza, Gentian Neza, Bledar Hasani, Erlind Taullaj, Bujar Sefa dhe Dritan Hamiti. Implikimi i Bedinit në këtë grup nuk kishte të bënte drejtpërsëdrejti me vjedhjet që janë realizuar, por fakti që ai ka qenë në dijeni për të gjitha rastet e zbuluara dhe nuk ka treguar asgjë, e ka bërë edhe atë përgjegjës. Pas dëshmisë së të penduarit edhe 23-vjeçari u shpall zyrtarisht në kërkim dhe oficerët e Sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit bënë të mundur arrestimin e tij. e.d