E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkoi divorcin, merret peng nga familja e vajzës

 

Etleva Delia

Një 21-vjeçar është mbajtur peng për 4 ditë i mbyllur në një furgon, nga familjarët e të fejuarës së tij, me të cilën bashkëjetonte prej 3 vitesh. Policia e Tiranës ka zbuluar autorët e kësaj ngjarje, madje ka marrë në hetim edhe të fejuarën 22-vjeçare të personit të dëmtuar, pasi rezulton se ajo ka bërë dëshmi të rreme në lidhje me ngjarjen. Marjola Demiri, përveçse ka qenë në dijeni të plotë për zhdukjen e Ardian Rukajt, kishte “gisht” edhe në heqjen e paligjshme të lirisë së tij. Madje personat që prej 4 ditësh e kishin mbajtur të fejuarin e Marjolës të mbyllur brenda në një furgon, në Tiranë, sipas policisë ishin babai, xhaxhai dhe dy kushërinjtë e 22-vjeçares. Si përgjegjës për heqjen e paligjshme të lirisë së Rukajt, janë marrë në hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Shaqir Demiri dhe vëllai i tij, Sali Demiri, si dhe Hamit Kasmi dhe Hysni Demiri. Burime nga policia e Tiranës pohuan se ngjarja ka ndodhur pas konflikteve të vazhdueshme që ishin shfaqur në marrëdhënien e dy të rinjve gjatë bashkëjetesës së Ardian Rukajt me partneren e tij Marjola Demiri.
KONFLIKTI
Ardian Rukaj, 21 vjeç dhe Marjola Demiri, 22 vjeçe, prej tre vitesh ishin të fejuar dhe jetonin bashkë në një apartament me qira, fillimisht në Kodër Kamzë e më pas në Qytetin Studenti në kryeqytet. Prej disa javësh mes tyre kishin lindur mosmarrëveshje në lidhje me moshën, që kishin çuar deri në diskutime për ndarje mes tyre. Rukaj i kishte kërkuar vazhdimisht të fejuarës së tij që të ndaheshin, sipas policisë, për shkak se bashkëjetesa e tyre nuk po ecte siç duhej për shkak të moshës. Djali ishte një vit më i vogël se partnerja dhe këtë e ka konsideruar shkak për t’u ndarë. Por vajza nuk ka pranuar këtë pretendim, madje as familja e saj nuk ka qenë dakord me ndarjen e të rinjve. Dy familjet, Rukaj dhe Demiri, nga fshati Rukaj i Burrelit, sipas policisë, kanë pasur edhe herë të tjera mosmarrëveshje, pasi të afërmit e vajzës kishin vendosur që dy të rinjtë të martoheshin. Sipas burimeve të policisë, për zbulimin e kësaj historie kanë ndihmuar familjarët e Ardian Rukajt, të cilët njëkohësisht me të fejuarën e tij kishin denoncuar zhdukjen e 21-vjeçarit.
HETIMI
Dy ditë më parë në Seksionin Kundër Krimeve Seksuale dhe Lirisë së Personit në policinë e Tiranës, Marjola Demiri ka bërë denoncimin, ku shprehej se i fejuari i saj Ardian Rukaj, prej dy ditësh ishte larguar nga shtëpia dhe dyshonte se e kishin rrëmbyer. Ndërkohë disa orë më vonë një denoncim për të njëjtin person është bërë edhe nga familjarët e Ardian Rukajt, të cilët kanë dhënë edhe më shumë detaje në lidhje me zhdukjen e djalit të tyre. Ata kanë rrëfyer edhe konfliktet që Ardiani kishte me vajzën dhe të afërmit e saj, duke shprehur edhe dyshimet se ngjarja lidhej drejtpërsëdrejti me familjen Demiri. Dy ditë pas denoncimeve, oficerët e policisë kanë mundur të zbulojnë vendndodhjen e 21-vjeçarit dhe kanë realizuar lirimin e tij, duke marrë në hetim katër persona të dyshuar si autorë të pengmarrjes. Sipas njoftimit për shtyp nga policia e kryeqytetit, autorët e kësaj ngjarje dyshohet të jenë babai i vajzës, Shaqir Demiri dhe vëllai i tij, Sali Demiri, si dhe të afërmit Hamit Kasmi dhe Hysni Demiri. Ata janë shoqëruar në polici me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë dhe më pas është vendosur që të hetohen në gjendje të lirë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Njëkohësisht në hetim është marrë edhe e fejuara e 21-vjeçarit, Marjola Demiri, pasi akuzohet se ka bërë dëshmi të rreme pasi ka qenë në dijeni për ngjarjen me partnerin e saj.
 

Denoncimi i rremë në polici
Dy ditë hetime i kanë mjaftuar policisë që të zbulojë se denoncimi i të fejuarës së 21-vjeçarit Ardian Rukaj ishte i rremë. Edhe pse Marjola Demiri gjatë marrjes në pyetje nuk ka pranuar se kishte dijeni për rrëmbimin e të fejuarit nga familjarët e saj, dëshmitë kontradiktore të familjarëve të saj kanë bërë që edhe ajo të merret në hetim për dëshmi të rreme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›