E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksident te kryqëzimi i “Bardhyl”, shoferi në pranga

 

TIRANE – Policia arrestoi dje autorin e një aksidenti rrugor që shkaktoi plagosjen e një të moshuari, i cili ndodhet në spital në rrezik për jetën. Personi i dëmtuar ndodhet në gjendje kome në reanimacionin e Spitalit Ushtarak, ndërkohë që mjekët nuk i kanë dhënë shpresa jete. Sipas një njoftimi për shtyp nga Policia e Tiranës, bëhet e ditur se është arrestuar 20-vjeçari Agron Sulçe, pasi ka përplasur një të moshuar, i cili ndodhet në gjendje kome. Sipas njoftimit bëhet e ditur se ngjarja për të cilën është vënë në pranga Sulçe, me akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, ka ndodhur në kryqëzimin e rrugës “Bardhyl” në kryeqytet. Burime nga policia bënë të ditur se 20-vjeçari duke drejtuar automjetin tip “Lança”, me targë TR 8722 R, ka aksidentuar 65-vjeçarin me iniciale M.D., i cili po kalonte rrugën me një biçikletë. Ka qenë vetë drejtuesi i mjetit i cili ka ndaluar dhe ka njoftuar ambulancën, për të transportuar në Spitalin Ushtarak të dëmtuarin, por gjithsesi nuk ka arritur t’i shpëtojë prangave të policisë. Burime nga Spitali Ushtarak bënë të ditur se gjendja e 65-vjeçarit të aksidentuar vazhdon të mbetet kritike, pasi ai ende nuk ka dalë nga koma.                                                                                e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›