SHKB merr në hetim 9 policët që rrahën protestuesit e LSI-së
TIRANE - Tre muaj verifikime dhe hetime intensive nga oficerët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, kanë bërë të mundur zbulimin e 9 policëve që kanë tejkaluar kompetencat dhe kanë rrahur protestuesit e LSI-së gjatë grevës në Parlament të 10 deputetëve, në ditën e pestë të saj. Në nëntor të vitit të kaluar, një grup protestuesish, të cilët pretendonin se ishin dhunuar nga oficerët e policisë, ju drejtuan SHKB-së dhe denoncuan ndërhyrjen e policëve. Madje ata paraqitën edhe disa prova, që ishin pamje filmike amatore dhe disa fotografi, që ishin bërë në momentin e sulmit të policëve dhe që ia dorëzuan oficerëve të SHKB-së. Burime nga Ministria e Brendshme bënë të ditur se pasi janë verifikuar të gjitha provat e protestuesve që kanë bërë kallëzimin, janë “piketuar” edhe personat përgjegjës, të cilët tashmë janë marrë në hetim. Mes tyre janë edhe disa oficerë të Forcave Speciale. Disa nga protestuesit, të cilët pretendonin se janë dhunuar nga uniformat blu, në kohën kur qëndronin përballë Parlamentit, në mbështetje të grevës së 10 deputetëve, kanë denoncuar rastet te Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në nëntor të vitit të kaluar. Ky shërbim, pasi ka verifikuar të gjitha paditë që kanë mbërritur kundër policëve, kanë nisur hetimet për të gjithë ato forca që kanë qenë në gatishmëri gjatë ditëve të grevës. Ndërkohë në denoncimet e tyre, protestuesit kanë shpjeguar se nuk kanë asgjë kundër uniformave blu që ndodheshin aty për të ruajtur rendin dhe sigurinë, por për forcat speciale që u mobilizuan aty ditët e fundit të grevës. Ata pretendojnë se janë shtyrë, janë goditur, ofenduar, madje edhe janë rrahur nga policia, edhe pse këta nuk kanë bërë asnjë provokim ndaj tyre. Madje që të përforconin më shumë padinë e tyre, protestuesit kanë bashkangjitur edhe foto dhe pamje filmike, që janë realizuar në momentin kur ndodhi përplasja me policinë. Të gjitha këto pamje u verifikuan nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, i cili konfirmoi se pretendimet e protestuesve ishin të vërteta. Ligji i ri i policisë së shtetit ka një nen të veçantë, ku tregon rastet kur policia mund të përdorë dhunë dhe mënyrat se si mund të ndërhyjë në raste tubimesh. Sipas nenit 118 të këtij ligji, punonjësi i policisë përdor forcën për të përmbushur një synim të ligjshëm vetëm kur kjo është e nevojshme dhe vetëm nëse të gjitha masat e tjera janë të pasuksesshme apo të pamundura. Burime nga policia bënë të ditur se 9 policët që tashmë janë në hetim e kanë shkelur këtë nen. e.d