Korrieri i 10 kilogramë heroinë, tregon në gjyq pronarët e drogës
TIRANE - Artur Hasalla, 23-vjeçari i arrestuar të premten në Kapshticë, në makinën e të cilit u gjetën 10 kilogramë heroinë, ka mohuar dje që droga ishte e tij. Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij te Gjykata për Krimet e Rënda, 23-vjeçari ka hedhur akuza mbi persona të tjerë, të cilët mund të ishin pronarët e lëndës narkotike. Por pretendimet e paraqitura prej tij nuk e kanë bindur gjykatën, e cila në përfundim ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”, duke lënë në qeli të pandehurin. Burime pranë gjykatës bënë të ditur se Hasalla ka pranuar faktin që është kapur në flagrancë nga policia e pikës kufitare të Kapshticës, por nuk ka pranuar që ajo të ishte e tij. Ai ka sqaruar për togat e zeza se ishte emigrant i rregullt në Greqi dhe se nuk kishte dijeni për drogën e vendosur në gomën rezervë të automjetit. Sipas burimeve, në vijim Hasalla ka lakuar para gjykatës emra konkretë personash, të cilët mund t’i kishin vënë atij në automjet lëndën narkotike. Ditën e djeshme mbrojtësi ligjor i Hasallës ka kërkuar nga gjykata një masë më të lehtë për të pandehurin. Pasi ka dëgjuar edhe pretendimet e përfaqësuesit të akuzës, gjykata ka vendosur të lërë në burg Hasallën deri në përfundim të hetimeve. I riu nga Elbasani u prangos nga policia në kushtet e flagrancës mëngjesin e së premtes, në pikën kufitare të Kapshticës nga operacioni policor “Goma rezervë”. Pas një kontrolli të imtësishëm të kryer në automjetin me targa greke të emigrantit, policia gjeti sasinë e heroinës në gomën rezervë. Që në momentet e para Hasalla e ka mohuar që lënda narkotike të jetë e tij. Ai ka bërë të ditur që gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, automjetin e kishte parkuar para banesës në Elbasan, duke hedhur dyshime se në atë vend nga persona të tjerë është vënë lënda narkotike. Hasalla po kthehej në Greqi pas një qëndrimi njëjavor në Shqipëri. Prokuroria dyshon se 23-vjeçari mund të jetë pjesë e një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës. Për këtë shkak i është kërkuar edhe gjykatës mbajtja e tij në qeli, në mënyrë që emigranti shqiptar me qëndrim në Greqi t’i nënshtrohet hetimeve të plota për të zbardhur pozitën e tij në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. ar.ba