E Diel, 1 Nëntor 2026

E shoqja e përkthyesit të pushkatuar: Ja si na masakroi Sigurimi i Shtetit

 

AFRIM IMAJ

“Ndodhi me Kostaqin diçka e pabesueshme. E urdhëruan të shoqëronte amerikanët gjatë operacionit të dimrit dhe sa u kthye prej aty e kryqëzuan si agjent të tyre. Ata që i besuan misionin e vështirë e vunë përpara skuadrës së pushkatimit”Rrëfimi i familjarëve të njeriut që u martirizua barbarisht një natë marsi të vitit ‘48, mundohet të përqendrohet në thelbin e metamorfozës që ka përjetuar Kostaqi i tyre i dashur. E para, Eleni, gruaja që ka kaluar pjesën më të bukur të jetës në krahë të tij, pastaj Elda, Vangjua, Vitorja e Parashqevia, fëmijët që i deshi si sytë e ballit profesori i “Harry Fultz”-it, teksa u kthehen kujtimeve për ditët që kanë kaluar bashkë, përloten e hera herës shpërthejnë në dënesë pavarësisht se tragjedia i përket një kohe të largët. Mundohen të jenë modest e të përmbajtur, pa e fshehur krenarinë për jetën dinjitoze të Kostaqit. Kur bie fjala për për mënyrën si u martirizua, të rekomandojnë për të lexuar shënimet që kanë mbajtur nga rrëfimet e Elenit gjatë viteve. Megjithëse ajo ende vazhdon ta ruaj kujtesën dhe dëshiron ti rrëfejë vet momentet kur sigurimi i shtetit në mënyrën më barbare do ti merrte jetën Kostaqit të saj...
 Eleni: Ditët e ankthit pa Kostaqin
“Ishte një pasdite nëntori kur Kostaqi na foli për misionin që i kishin besuar. Pa shumë hollësi na shpjegoi se do shoqëronte një trupë ushtarake amerikane, që kishte mundur të mbijetonte pas rrëzimit të një avioni në Belsh të Elbasanit.
“Ata janë aleatët tanë në luftën kundër gjermanëve dhe janë në rrezik të madh po të kapen prej tyre”, shtoi ai. Të nesërmen sipas planit mbërritën në Berat. Dy prej tyre erdhën në shtëpinë tonë. Me sa mësuam ishin me profesion infermiere. Ndenjëm deri vonë atë natë me to. Ju ofruam gjithçka për t’u qetësuar dhe folëm gjatë rreth luftës dhe pushtuesit. Në mëngjes u nisën në inkursionin e riatdhesimit. Kostaqi u nis bashkë me ta. Na tha se do të kthehej sa t’i përcillte në një bazë të sigurt. Kaloi një ditë, dy, tre. Kaluan disa javë. Asnjë lajm për fatin e tij. Ankthi sa vinte e shtohej. Shumë herë kur merrja vesh ofensivën e forcave gjermane më bëhej sikur prisja kot kthimin e tij. Kishte raste që mendoja se s’do ta shihja më kurrë. E quaja mrekulli sikur të kthehej gjallë. Megjithatë shpresat nuk i humba deri sa pasditen e 30 janarit ‘44 Kostaqi trokiti në portë. Mjaftoi kaq që shtëpia të gjallërohej menjëherë. Të parët turfulluan fëmijët. U çuan në këmbë si të tërbuar dhe filluan të thërrasin “Erdhi Taçi” “Erdhi Taçi”. Ndenjëm deri në të gdhirë atë natë e folëm me të për ditët që kishte rrugëtuar me amerikanët e kërcënuar…
Misioni në vëmendjen e Ruzveltit 
“Ushtarët e humbur” i kërkonte drejtpërdrejt Presidenti Ruzvelt. Ai interesohej orë e çast për fatin e tyre”. Në rrëfimin e Kostaqit ky pohim veçohej si një nga momentet kulmore të misionit. Pastaj tregimi i tij vazhdonte me përjetime nga ditë-netët e marshimit të jashtëzakonshëm. “Kaluam vështirësi e rreziqe të mëdha, po falë Zotit ia dolëm mbanë. Përshkruam tetëqind kilometra më këmbë, në borë e shpate të thepisura, poshtë fluturimit të avionëve gjermanë që na ndiqnin kudo. Na dha krahë bujaria e fshatarëve, që ndanë bukën e fëmijëve me ne. Trimëria dhe intuita e korrierëve partizanë, u bënë zemra e misionit. Forcë e kurajo na u bë sidomos qëndrueshmëria shembullore e ushtarakëve amerikanë. Dhjetë prej tyre ishin femra, madje në një moshë të re, por asnjëherë nuk thanë “u lodhëm”. Një trupë vërtetë heroike. Kur ecja në krahë të tyre më kujtoheshin fjalët e mikut tim Harri Fullc: ‘Mundohu ta bësh veten dhe Atdheun tënd sa më të nderuar dhe të vlefshëm për të jetuar dhe po qe nevoja të japësh edhe jetën për të’. Tek ta e pashë më së miri mishërimin e kësaj filozofie”. Ndërkaq, interesimi i krerëve të Pentagonit për fatin e tyre, për Kostaqin kishte qenë befasues. Ata e ndiqnin çast pas çasti inkursionin e “ushtarëve të humbur”. Në çdo kontakt me radio, shtabi madhor  kërkonte të dhëna për t’u ardhur në ndihmë me të gjitha mundësitë. Një ditë afër Gjirokastrës, fluturuan dy aeroplanë të SHBA-së në përpjekje për të shpëtuar grupin e ushtarakëve amerikanë, po sa ishin dalluar nga gjermanët ishin përballur me një bombardim të rrufeshëm dhe ishin tërhequr menjëherë. Sakaq, qyteti ishte përfshirë në kaos e panik dhe njerëzit ishin larguar të traumatizuar. Sidoqoftë, me kalimin e ditëve misioni do të shkonte drejt suksesit dhe Kostaqi do të ndahej me ta në afërsi të Vlorës. Në ndarje e sipër aleatët i dhuruan një palë dylbi, të cilat ia fali Mehmetit (Shehut) qysh në takimin e parë. Rikthimi në shtëpi i dha në një farë mënyre fund makthit të pritjes së gjatë, po vetëm përkohësisht. Hallet e familjes Stefa do të vazhdonin dhe më tej. Mbarimi i luftës do të shoqërohej me një tjetër tronditje në familjen e përkthyesit në Mangalem…
Miqtë e amerikanëve
në shënjestër
“Fill pas luftës, komunistët i shpallën amerikanët tradhtarë. Miqtë e tyre u vunë në shënjestër”. Retrospektiva e atyre ditëve të dhimbshme, në kujtimet e gruas së përkthyesit të pushkatuar, risjell momentet dramatike të zhgënjimit që shkaktoi sjellja monstruoze ndaj aleatëve. “Vizita e parë e në Tiranë, pas kthimit nga misioni me ushtarët amerikanë, e kishte tronditur e befasuar Kostaqin. Shkoi aty për të qëndruar disa ditë te motra, por u kthye që të nesërmen. Dukej i mërzitur e i prerë në fytyrë. E pyeta pse nxitoi, por më tha ta lija të qetësohej nga rruga. Vonë, diku nga mbrëmja më shpjegoi gjëra e gjatë për atë që e vlerësonte mosmirënjohje e pabesi. “Në Tiranë po bëhet hataja,- më tha. -Po arrestojnë teknikët dhe ata që kanë pasur lidhje me amerikanët. Qeveria ka shpallur tradhtarë, miqtë e aleatëve perëndimorë...”. Mu duk e pabesueshme dhe i thashë se do të ishte ndonjë e dhënë dashakeqe. Po ai këmbëngulte në të tijën dhe shprehej i bindur se kishim të bënim me një strategji të fshehtë. Më dukej marrëzi ajo që thoshte dhe aty për aty, i kërkova arsyet pse duhej të goditeshin miqtë e aleatëve. “Ku e di unë, bëri ai duke ngritur supet dhe nisi të rrëfejë atë që kishte mësuar në Tiranë. “Kështu më thanë miqtë e mi, bile më porositën të ruhem se edhe për mua kishin dëgjuar lajme jo të mira. Më porositën të kem kujdes, të mos flas me njeri, madje më sugjeruan që të ikja jashtë shtetit. U thashë që këtë nuk e shkoj kurrë në mëndje dhe se nuk kisha pse të trembesha. Në fund të fundit unë isha profesor në shkollën e Fullcit dhe amerikanët i shoqërova me urdhër të partizanëve. Ata kishin bindje të padiskutueshme se fushata antiamerikane do të zgjerohej shumë...”. Vetëm kaq më shpjegoi atë natë Kostaqi për lajmin ogurzi, që kishte mësuar në Tiranë. Në tronditjen që përjetonte, lexohej qartazi makthi se diçka do të ndodhte dhe me të e i vinte keq që ishte i pafuqishëm për ta ndryshuar rrjedhën e fatit...
Arrestimi: Në emër të popullit
“Kostaq Stefa, në emër të popullit je i arrestuar!” Mjaftoi kaq dhe tre ushtarakët e paraqitur te porta një mbrëmje vjeshte do ta merrnin për mos ta kthyer kurrë tek streha e tij. Edhe pas kaq dekadash, Eleni gruaja që lidhi jetën me të, e ka në sy dramën e atyre çasteve. “I pari shkoi te dera Kostaqi. Pas tij u avitëm unë me fëmijët. Policët i komunikuan urdhrin e arrestit dhe menjëherë i hodhën prangat. Pastaj e tërhoqën me forcë dhe dolën në rrugë. Ngriva e tëra dhe nisa t’i ndjek nga prapa. Ashtu nxitimthi vrapova deri te hyrja e Degës së Brendshme. Pyeta aty, por ishte e pamundur për të mësuar gjë. Prita disa minuta dhe ika me shpresën se do të ishte ndonjë keqkuptim. Por fatkeqësisht jo....”. Teksa flet për dramën e të shoqit, Eleni ndalon në momentet e përballjes me njerëzit e sigurimit. “Menjëherë pas arrestimit e nisën në Tiranë. E mbajtën tre muaj në hetuesinë speciale aty dhe e rikthyen Degën e Brendshme të Beratit. Një ditë më thirrën dhe mua atje. Shkova me shpresën e ndonjë lajmi të mirë. Më priti në zyrë njëri nga hetuesit e Kostaqit, i cili pas pyetjeve standarde, doli aty ku i interesonte. “Ju jeni mësuese, - më tha. - Besoj se do të kuptohemi mirë?”. - “Po”, i thashë. “Pa më thuaj sa herë ka ardhur Harri Fullci në shtëpinë tuaj?, “Fullci në shtëpinë tonë?! As edhe njëherë”,- iu përgjigja aty për aty. “Nuk besoj. Po mbledhjet që ka bërë tek ju me miqtë e tij?!” -”Në shtëpinë tonë, Fullci nuk ka qenë kurrë. Asnjë mbledhje sekrete nuk është bërë te ne”,- iu përgjigja unë. Pastaj ai ndërroi taktikë dhe me një lloj mirësjellje të stisur pohoi se Kostaqi kishte deponuar të kundërtën. “Nuk besoj kurrë që tim shoq të thotë gjëra të paqena. Ma sillni këtu t’ia them në sy.”, i thashë unë e turbulluar. Hetuesi shtrembëroi fytyrën dhe me vështrimin nga dritarja ma bëri me shenjë të dilja nga zyra. Ashtu bëra...
Vendimi: “Dënim
me vdekje”
“Gjyqi i Kostaqit u bë në mesin e janarit 1948. Ishte një gjyq ushtarak me dyer të mbyllura. Mjaft nga të njohurit më thanë të përgatitesha për më të keqen. Sidoqoftë në ditën e caktuar u paraqita në kinemanë e qytetit, ku ishte paralajmëruar zhvillimi i tij. Kur mbërrita aty i pari që takova ishte një komshiu ynë. Me zërin që i dridhej më tha se çdo gjë kishte mbaruar dhe Kostaqin e kishin dënuar me vdekje, me pushkatim. Mu errën sytë dhe nuk dija çfarë të bëja. Ndenja një çast sa përmblodha veten dhe mora rrugën për në shtëpi. Sa mbërrita aty, ja behën njerëzit me radhë. Dënimi i Kostaqit kishte rënë si rrufe në qiell të pastër. Çfarë kishte bërë? Cilin kishte tradhtuar? Kë kishte vrarë? Cila ishte veprimtaria armiqësore e tij? E vetmja shpresë që na ngrohte ato momente ishte rishqyrtimi nga Gjykata e Lartë. Vetëm ajo mund të ndërhynte për t’i falur jetën. Po ende pa mbërritur përgjigjja prej saj, një tabor me policë trokitën  në portën e shtëpisë dhe bënë konfiskimin e pasurisë. Diku pas një muaji nga Gjykata e Lartë na njoftuan se Kostaqit i ishte falur jeta. Nga dënim me vdekje ia kishin konvertuar në 101 vjet burg, të cilin do ta vuante në burgun e Burrelit. Kjo na gëzoi pa masë dhe në shtëpi filluan të na vijnë njerëz për urim. Sidoqoftë momentet e gëzuara nuk do të vazhdonin gjatë. Një ditë krejt papritur kur djali i madh, Alfredoja do çonte ushqimet për Kostaqin te Dega e Brendshme, oficeri i rojës, duke ia kthyer mbrapsht do t’i komunikonte lajmin e tmerrshëm: “Për Kostaq Stefën i keni këto? Thoni rroftë Partia, se ai është pushkatuar sot në mëngjes”. Nuk desha t’i besoja asaj që më tha Alfredoja me lot në sy dhe u nisa vetë për aty. Po edhe mua më thanë të njëjtën gjë. U kujtova për vendimin e Gjykatës së Lartë, por ishte e kotë. Ata rrinin përballë meje sikur mos të kishte ndodhur gjë dhe ma bënin me shenjë të largohesha prej aty. Një çast e humba durimin dhe nisa t’i shaja me zë të lartë, por shkelmi i njërit prej policëve më hodhi për tokë. Ndenja ashtu e përhumbur për disa çaste dhe pastaj mora rrugën për në shtëpi. Nuk e di se si mbërrita deri aty, po mbaj mënd që bashkë me fëmijët ia dhamë kujës me dënesë”.

Barbaria e natës së 3 marsit ‘48

Ishte natë kur i nxorën nga qelia, një natë marsi e errët pa hënë. I futën në gazin e Degës së Brendshme dhe i drejtuan tek vendi i pushkatimit. Të dënuarit me vdekje rrinin në heshtje dhe deshifronin secili në mënyrën e vet atë që i priste. Të mbështetur në supet e njëri-tjetrit, kujtonin kalvarin që kishin lënë pas, pa kuptuar çfarë do të ndodhte më tej. Madje, as Kostaqi, përkthyesi i aleatëve gjatë luftës, nuk ishte në gjendje të përkthente gjuhën e barbarisë që i shoqëronte në fundin greminor. “Këtu!” thirri eprori i skuadrës së pushkatimit dhe ata u shkundën nga përgjumja e thellë. Me sa dukej djalli vet kishte gjetur humbëtirën. U dëgjua breshëria e parë. Pastaj një breshëri tjetër. Kostaq Stefa ra në rrënjët e gëmushës. Pas tij ranë një nga një tre të tjerët. Lopatat që kishin hapur gropën e zezë, tani po kthenin baltën në vendin e saj, por me një ndryshim, për të bërë mbulojën që “dheu s’e fsheh dot”. Mjaftoi kaq dhe përkthyesi i viteve të luftës me tre të tjerë, u bënë shokë me baltën e përroit të Uznovës. Miqtë e tij u harruan në harrim. Sidoqoftë, misteri nuk do mbetej i tillë përgjithmonë. I fundmi i dëshmitarëve të natës tragjike, një ditë do të hapte gojën. Njerëzit e mirë do të nxitonin për te vendvarrimi i fshehtë. Kazmat do takonin eshtrat e pleksura me telin me gjemba dhe historinë e dhimbshme të natës pa hënë të 3 marsit ‘48. Dalëngadalë do të zbulohej dhe barbaria, që mjeshtri i përkthimeve Kostaq Stefa, nuk mundi ta përkthente ato çaste fatale.

Dhurata e Jordan Misjes

Familjarët e Kostaq Stefës, përkthyesit të amerikanëve gjatë luftës, janë të lumtur që kanë mundur të ruajnë nga koleksioni i tij një dhuratë të Jordan Misjes. Është një portret, që piktori i martirizuar në barrikadat e luftës për liri, e ka punuar me merak gjatë ditëve të miqësisë me Kostaqin. Eleni, e shoqja e tij, kujton se Jordani, një nga shokët e afërt të Kostaqit kur ishte mësues në Dibër, iu lut një ditë për t’i pozuar dhe hodhi në telajo portretin e tij. “Jemi në luftë, - i tha - dhe e nesërmja nuk i dihet”. Qysh atëherë, rrëfen e moshuara 100-vjeçare, e kemi ruajtur si diçka të rrallë e të shenjtë.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›