E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat ’97, dëshmitë për Altin Dardhën

 

Fatos Mahmutaj

Katër dëshmitarë të Prokurorisë risollën dje në Gjykatën e Tiranës ngjarjen e 25 shkurtit 1998 në qytetin e Beratit, kur banda e drejtuar nga Altin Dardha ekzekutoi, vetëm 150 metër larg derës së Drejtorisë së Policisë, Buran Tomorrin, një nga “të fortët” e asaj kohe me të cilin prej një viti ndodhej në hasmëri. Ish-inspektori i krimeve të zonës, një person që ndodhej në tavolinë me viktimat dhe një ish-polic i marrë peng prej Altin Dardhës, në momentin e arratisë, treguan para trupit gjykues skenën e krimit, që ka mbetur në mendjen e qytetarëve beratas si një nga ditët më të tmerrshme në qytet. Tashmë, për këtë ngjarje gjykohet Gëzim Kasemi, i akuzuar të jetë një prej personave që kryen krimin e rëndë, ndërsa dy shokët e tij dhe Dardha, ish-kapoja i frikshëm i Beratit, nuk jetojnë më. Gentian Musabelliu, dëshmoi i pari, duke treguar në gjykatë se ndodhej diku në zonë në momentin kur dëgjoi krismat në zonën afër stadiumit. Me anë të radios ishte njoftuar për një vrasje dhe ishte nisur me vrap në atë drejtim, por rrugës e kishte arritur një koleg i qarkullimit me motoçikletë, me të cilin ishin vënë në ndjekje të autorëve sipas drejtimit që u kishin dhënë dëshmitarët e shumtë. Pas kësaj ai tha se në një lokal në fshatin Uznovë, autorët kishin rrëmbyer një makinë, fouristradë të kuqe dhe kishin ikur në drejtim të fshatit Vodicë. Aty ai kishte mësuar se njëri nga autorët ishte vrarë dhe tjetri ishte prangosur. Po kështu, ai kishte mësuar se krimi ishte kryer nga banda e Altin Dardhës. Në lidhje me të akuzuarin, Musabelliu tha se nuk e njihte dhe nuk e kishte parë kurrë, përveç fotos që e kishte parë në listën e personave të kërkuar. Dëshmitari i dytë, Ramadan Eskiu tregoi në gjykatë se kishte qenë ulur në tavolinë me vëllezërit Buran dhe Abdurrahman Tomorri, kushëririn e tij Behar Eskiu dhe Vlash Shkurtin. Ky i fundit ishte ndërmjetësi i “kafes”, pasi dëshmitari ishte pronar i një autoshkolle, ndërsa Burani interesohej për një patentë për vëllain, Abdurrahmanin. “E dija që Burani kishte hasmëri me Altin Dardhën ndaj me siklet u ulëm me të, por mendova se vetëm 150 metër nga dera e policisë nuk do sulmonte askush. Madje për këtë shikova mos afrohej ndonjë makinë e dyshimtë, por nuk vura re asgjë të tillë. Pa porositur ende kafet u sulmuam nga disa persona që qëllonin drejt nesh”, tregoi Eskiu tmerrin e asaj dite. Ai tha se kishte marrë plumba në të dyja këmbët, ndërsa bilanci i sulmit të Dardhës, veç vrasjes së dy vëllezërve Tomorri, ishte edhe kunati i dëshmitarit Kastriot Bejko që po ecte rastësisht në rrugë dhe kushëriri i tij Behari që ndodhej në tavolinë. Më pas ai tregoi se kishte shkuar në shtëpi ku ishte armatosur gjithë fisi, pas kësaj e kishin çuar në spital ku kishte hequr plumbat dhe pastaj ishte kuruar në Tiranë. Oficeri i policisë Artur Liçollari tregoi në gjykatë se kishte këqyrur kufomën e njërit prej shokëve të Altin Dardhës, që ishte vrarë në fshatin Vodicë, në përplasje me policinë. Ndërsa ish-polici Ferdinand Kalemaj, pohoi se ditën e ngjarjes, për fat të keq ndodhej me të dashurën e vet për të drekuar në fshatin Vodicë. Sapo kishte dëgjuar krismat, ai ishte nisur me makinë drejt Beratit por një person i armatosur me flokë kaçurrela dhe gjithë djersë i kishte hipur në makinë. Pasi i kishte vënë “kallashin” në brinjë, ai e kishte detyruar të ecte me makinë drejt fshatit. I frikësuar, kishte bërë siç i kishte thënë ai personi, për të cilin tha se nuk e njihte. Por prokurori i çështjes ia kundërshtoi dëshminë, duke pohuar se ai person ishte Altin Dardha dhe se dy shokët e tij ecnin në këmbë jashtë makinës. Më pas Dardha kur e kishte parë që makina nuk ecte, kishte zbritur dhe ishte larguar në këmbë, ndërsa polici kishte mbetur me kokulur dhe duar në timon, derisa ish-komisari i Beratit, Gani Malushi i kishte marrë automatikun dhe me të kishte qëlluar në ajër duke i bërtitur Altin Dardhës, që ndodhej vetëm 200 metër larg: “Ndal policia”, por që nuk ia kishte arritur pasi ai ishte larguar me vrap nëpër një përrua. 

Dëshmitarit i bie të fikët në gjyq

TIRANE – Dëshmitari Riza Qosja, i sëmurë nga diabeti, kaloi gjendje të fikëti dje në sallën e gjyqit, pasi policia e kishte shoqëruar forcërisht, ndërsa nuk i kishte lënë kohë për të marrë ilaçet me vete. Gjendja e rëndë shëndetësore e tij u bë shkak që të ndërpritej seanca pak minuta më vonë, ndërsa një mjek i thirrur me urgjencë i dha ndihmën e parë. Pas kësaj, gjykata e njohu policin e Komisariatit të Beratit me datën tjetër të gjyqit ndërsa i kërkoi rishoqërimin e dëshmitarit, i cili duhet të merrte edhe ilaçet. Policia e kishte shoqëruar dëshmitarin me urgjencë, duke mos i lënë kohë as të ndryshonte veshjen, pasi e kishin gjetur në arë duke punuar. Për shkak të skadimit muajin e ardhshëm, të afateve të gjykimit të kësaj çështjeje të rikthyer nga Gjykata e Lartë, është kërkuar pyetja e dëshmitarëve. Pas një jave pritet të përfundojë pyetja e dëshmitarëve të Prokurorisë dhe administrimi i provave shkresore.                         f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›