E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pajtimi zbuloi vrasjen e policit

 

Trazhgim Sokolaj

Përpjekjet për pajtim dhe për mbylljen e hesapeve lidhur me vrasjen e efektivit të policisë, Arben Lasku, në vitin 1997, duket se kanë hapur llogarinë e kësaj ngjarje me drejtësinë. Prova kryesore që shfrytëzoi Prokuroria e Krimeve të Rënda në rihapjen e dosjes dhe arrestimin e njërit prej vrasësve 12 vite pas krimit, kanë qenë pikërisht përpjekjet e familjarëve të tij për t’u pajtuar me të afërmit e policit, në mënyrë që ata të mos merrnin hak. Pak ditë më parë, më 12 shkurt 2009, Policia e Sshtetit deklaroi arrestimin e të dyshuarit Mond Mulia, duke e akuzuar atë si pjesëmarrës në sulmin e armatosur të ndodhur në Laç të Vaut të Dejës në vitin 1997, ku mbeti i vrarë efektivi blu. Aksioni i koduar “Lapidari” mësohet se ka vendosur në pranga vetëm njërin nga tre ekzekutorët e ish-policit Arben Lasku, pasi bashkëpunëtori i tij F. Barbullushi, i dënuar për një vrasje tjetër ndodhet në burg, ku edhe është marrë në pyetje për ekzekutimin e policit. Vrasësi i tretë mësohet se është shpallur në kërkim. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se informacionet e servirura nga agjentët e policisë që tregonin se të afërmit e të dyshuarit Mondi Mulia po negocionin për pajtim me familjen e policit të vrarë, orientuan dyshimet drejt implikimit në vrasje, madje pranimin indirekt të autorësisë. “Ndryshe nuk kishin kuptim tentativat e familjarëve të të pandehurit Mondi Mulia për të kërkuar faljen e gjakut nga të afërmit e policit”, thanë burimet. Sipas tyre, gjatë hetimeve u mësua implikimi i të dënuarit F. Barbullushi në ngjarjen e ndodhur në Vaun e Dejës me vrasjen e policit. Sipas Prokurorisë, i burgosuri kishte qenë pjesë e bandës së armatosur që grabiste banesat e zonës. “Ky person i dënuar për një vrasje tjetër, ka pranuar autorësinë në krimin ndaj efektivit të policisë Arben Lasku, duke treguar implikimin e të pandehurit Mondi Mulia dhe të personit tjetër të tretë të shpallur në kërkim”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, efektivi i policisë ishte vrarë nga banditët, pasi këta të fundit kishin frikë se efektivi i rendit do të lajmëronte kolegët për vjedhjet me armë që ekzekutorët kishin kryer në disa banesa të zonës. Vrasja e policit Arben Lasku ndodhi kur ai ishte me shërbim pranë shkollës së mesme të Vaut të Dejës. Në një raport të policisë mbi ngjarjen thuhet se, “ditën kur ndodhi vrasja, Arben Lasku, 26 vjeç, ishte me shërbim i caktuar për mbrojtjen e shkollës së mesme ‘Dëshmorët e Zonës’ në Laç të Vaut të Dejës. Në kohën kur në shkollë zhvillohej provimi banda e përbërë nga të paktën tre veta, që kryenin grabitjen e banesave në zonë, i është afruar shkollës dhe ka qëlluar me armë në drejtim të efektivit të policisë, duke e goditur atë në kokë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›