"Dinamit" në oborr, pesë orë panik në shkollën 9-vjeçare
SHKODER - Rreth 5 orë panik kanë përjetuar nxënësit dhe mësuesit e shkollës 9-vjeçare "Zemra e Krishtit". Një pako e dyshuar si eksploziv ka hedhur dyshimin e një atentati në ambientet me fëmijë, por ekspertët e ardhur me alarm nga Tirana kanë zbuluar se bëhej fjalë vetëm për disa fishekzjarrë. Ato ishin vendosur nga persona të paidentifikuar pranë portës hyrëse së shkollës. Në fillim u mendua se ishte lëndë plasëse dhe për këtë u dha urdhër që fëmijët e mësuesit të evakuoheshin. Por pas ekzaminimit të pakos ku ndodheshin kallëpet, nga ana e ekspertëve nga Tirana u mësua se alarmi ishte i rremë pasi kallëpet ishin fishekzjarrë, madje edhe bosh nga brenda. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30 të ditës së djeshme, kur nxënësit kanë parë në portën hyrëse të shkollës një pako në të cilën ndodheshin disa kallëpe që kishin formë cilindrike, të dyshuara si kallëpe dinamiti. Policia e Shkodrës ka kërkuar ndihmë nga ekspertët e Tiranës, për të çaktivizuar eksplozivin e mundshëm. Pas zbulimit të 3 fishekzjarrëve, që nuk paraqisnin asnjë rrezikshmëri është normalizuar situata. Dyshohet se fishekzjarrët janë vendosur në portën e shkollës për frikësimin e nxënësve të saj. Personat janë ende të paidentifikuar, ashtu si dhe motivet që sollën tronditjen. r.d