E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksident tjeter ne Bulqize, plagoset ne galeri minatori

BULQIZË – Edhe një tjetër aksident është regjistruar në galeritë e minierës së kromit në Bulqizë, por kësaj radhe nuk raportohet për të vdekur. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se një minator 45-vjeçar është plagosur rëndë pas shembjes së minierës, teksa po punonte në nivelin e 14-të të galerive të minierës së Bulqizës. Shkak ka qenë shembja e një pjese të minierës, e cila për fat të mirë nuk i ka shkaktuar vdekjen minatorit Esat Dedja, 45 vjeç. Ai po punonte në momentin e aksidentit në njërën nga galeritë e errëta, ku nuk kishte ndriçim. Në kohë rekord, kolegët kanë mundur ta nxjerrin Esatin nga miniera dhe ta dërgojnë të lënduarin menjëherë në spital. Burimet spitalore bëjnë të ditur se 45-vjeçari, pavarësisht dëmtimeve të rënda në trup, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Aksidentet e shumta në minierën e Bulqizës kanë shkaktuar 8 viktima gjatë 13 muajve. I fundit që humbi jetën në galerinë e nivelit të 16-të ishte Njazi Alliu, 50 vjeç, nga Bulqiza. Që nga fillimi i punës, në minierat e kromit kanë humbur jetën aksidentalisht më shumë se 260 persona.

3 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›