Arrestohen dy biznesmenët e firmës piramidale, mister marrja e parave nga qytetarët
Jani Lluka dhe Ilia Nikolla ndalohen pas kallëzimeve për mashtrim. Tatimet vendosin mbylljen e rrobaqepësisë, nisin hetimet
KORÇË – Pas disa denoncimeve dhe thashethemeve për një firmë piramidale në qytetin e Korçës, më në fund policia ndaloi dy pronarët e saj. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se të shtunën në mëngjes, “Jani Lluka dhe Ilia Nikolla, bashkëpronarë të firmës së prodhimit të konfeksioneve në Korçë, u ndaluan me urdhër të prokurorisë së rrethit, e cila ka ngritur ndaj tyre akuzën ‘mashtrim kundër shumë personave në bashkëpunim me shuma të mëdha parash dhe pasoja të rënda’".
Prokuroria e Korçës kishte kohë që hetonte ndaj dy biznesmenëve, të cilët ishin denoncuar nga dhjetëra qytetarë korçarë, që kishin rënë pre e këtij mashtrimi. Ndërkaq mësohet se Dega e Tatim-Taksave në Korçë ka vendosur mbylljen e firmës private të prodhimit të konfeksioneve që drejtonin dy biznesmenët për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve.
Denoncimet
"Prej disa vitesh u kam dhënë borxh biznesmenëve Jani Lluka dhe Ilia Nikolla një shumë prej 140 mijë dollarësh, me interes 12 për qind në muaj. Por që nga muaji shtator i vitit të kaluar ata nuk i janë përgjigjur detyrimeve të përcaktuara me një kontratë noteriale”. Ishte ky denoncimi që qytetari korçar Vasillaq Çerveni depozitoi në Prokurorinë e Korçës pak kohë më parë. Pre e mashtrimit ranë dhe shumë qytetarë të tjerë, të cilët u joshën për të përfituar lekë me përqindje duke u dhënë borxh dy biznesmenëve shuma të konsiderueshme. Burime zyrtare të policisë rajonale të Korçës thanë se "veprimet proceduriale në ngarkim të tyre u kryen një ditë më parë”. Procedimi penal, vijuan burimet, nisi pasi dy biznesmenët kanë mashtruar shtetasit Dylber Gjiriti dhe Arian Terolli duke u marrë atyre përkatësisht shumat 25000 dollarë dhe 1 000 000 lekë.
Rikthimi i fenomenit
Ecuria jonormale e aktivitetit të biznesmenëve korçarë Jani Lluka dhe Ilia Nikolla ka dhënë shenja që para pak muajsh, kur punëtoret e kompanisë që prodhonte konfeksione lanë punën në shenjë proteste për mosmarrjen në kohë të pagave. Para protestës së punëtorëve, dy biznesmenët ishin vënë përballë ankesave të disa qytetarëve prej të cilëve kishin marrë hua shuma të mëdha, por që sipas marrëveshjes mes palëve nuk ua kishin kthyer në kohë interesat e fitimit. Një prej tyre ishte dhe Vasillaq Çerveni, i cili kur diktoi mashtrimin iu drejtua Prokurorisë së Rrethit të Korçës dhe më pas gjykatës së rrethit, ku aktualisht po zhvillohet procesi civil ndaj dy biznesmenëve.
Qytetarët e mashtruar kanë deklaruar për hetuesit se ndërprerja e dhënies së interesave u shfaq në muajin shtator të vitit të kaluar, kur dy biznesmenët ishin në përfundim e sipër edhe të një tjetre fabrike për prodhim konfeksionesh në qytetin e Korçës. Por, aktiviteti i tyre privat ka ardhur në rënie për shkak të mosshitjes së prodhimit e ndërkohë edhe nga presioni i huadhënësve për marrjen e interesave. "Kjo formë huadhënieje është e ndaluar me vendim të Gjykatës së Lartë, pasi nuk lejohet dhënia e interesave të fitimit mbi mesataren e bankave. Qytetarë të ndryshëm korçarë janë mashtruar pikërisht nga dhënia e këtyre interesave të larta për disa kohë dhe nga funksionimi i këtij aktiviteti firma private në fakt ka funksionuar sidomos kohët e fundit si një skemë piramidale", - pohon një jurist i Gjykatës së Korçës.
Tashmë janë organet e policisë, të prokurorisë dhe të gjykatës ato që kanë ndërhyrë për të verifikuar si ka funksionuar ky mashtrim masiv nga ana e dy biznesmenëve. Mësohet se mbi 50 qytetarë nga Korça janë mashtruar, por ende nuk sqaron askush nëse kreditorët e firmës piramidale më të re në Shqipëri do t’i marrin të gjitha ose pjesërisht paratë e tyre.
3 Mars 2008