Shkelën rregullat e qarkullimit me aksident, përfundojnë në qeli
Tiranë – Policia e Qarkullimit ka ndaluar dy persona për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Burime nga uniformat blu thanë për gazetën se ndalimi i tyre ka ndodhur për faktin se janë larguar nga vendi i aksidentit apo kanë drejtuar mjetet pa dëshmi. Klevis Pici, 18 vjeç dhe Ilir Korra, 32 vjeç, të dy banorë në kryeqytet, u vunë në pranga në flagrancë nga seksioni i hetimit të aksidenteve rrugore pranë sektorit të Policisë së Rrugore të Policisë së Tiranës. I pari, ndërsa qarkullonte te sheshi “Italia”, me automjetin tip “Hondai”, me targa të huaja, ka aksidentuar biçiklistin Sami Tagani, 75 vjeç, banues në Tiranë dhe më pas ky shtetas është larguar duke e braktisur në rrugë.
Ndërsa Korra, duke drejtuar mjetin me targë BK 975 CT, ka goditur pranë kombinatit “Misto Mame” një motor tip “Hindo”, me targë TR 365 E, i drejtuar nga Dhioxhen Jarazi, 42 vjeç, banues në Tiranë. Më pas motori është përplasur me automjetin tip “Toyota”, me targë KJ 7146 A, i drejtuar nga Idriz Doda, 52 vjeç, banues në Kavajë. Për pasojë është aksidentuar rëndë Jazari, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë. U kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale të parashikuara nga nenet 290/1, 273 dhe 291 të Kodit Penal.
3 Mars 2008