Elbasan, ikën Hyseni, vjen Hamdi Fjorja
ELBASAN- Drejtori i Policisë së Elbasanit, Arben Hyseni, është transferuar në Gjirokastër dhe së bashku me të edhe Shefi i Qarkullimit në Komisariatin e Elbasanit, Blerim Laçi. Një ditë më parë, kreut të bluve të Elbasanit i është komunikuar largimi nga kjo detyrë dhe emërimi në një detyrë të ngjashme në Gjirokastër ndërsa në vendin e tij është komanduar shefi i Forcave Speciale pranë drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Hamdi Fjorja. Këto ndryshime në drejtorinë e Elbasanit kanë ardhur jo nga rezultatet e kësaj drejtorie por për shkak të problemeve që janë hasur në Gjirokastër. Arben Hyseni ka ardhur në detyrë mbi një vit më parë. Situata kriminale në Elbasan mori edhe prioritetet e drejtorit të ri i cili disa ditë pasi ishte emëruar depozitoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dosjen e Masakrës së Cërrikutku u arrestuan 9 persona. Por ndaj dy drejtuesve ka pasur edhe kritika sidomos për administrimin e kompetencave. Drejtori i Policisë, Hyseni, do të mbahet mend edhe për një përplasje direkte me prokurorinë dhe gjykatën për shkak të lënies të lirë të elementëve kriminalë. Ndërkohë që nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të policisë, Ahmet Premçi, është komanduar një prej emrave kryesorë të policisë, ende vendi i shefit të qarkullimit në komisariatin e Elbasanit mbetet bosh.