Aksidente në Fier dhe Gjirokastër, 1 i vdekur e 8 të plagosur
Një person ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë rezultojnë të plagosur rëndë gjatë një aksidenti të ndodhur pasditen e sotme në aksin rrugor mes Fierit dhe Patosit. Sipas burimeve nga policia lokale, ngjarja ndodhi pas përplasjes së dy automjeteve, një fuoristradë me targa AA012 BX dhe një automjet me targa greke, INH 7746, ndërkohë që nuk bëhet me dije identiteti i viktimës dhe të plagosurve.
Policia, e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje, transportoi të plagosurit drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe nisi hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Ndërkohë, në një tjetër aksident të ndodhur pasditen e sotme në Gjirokastër-Kakavijë kanë mbetur të plagosur 6 persona që udhëtonin në të njëjtin mjet i cili ka dalë nga rruga, pasi drejtuesi i tij humbi kontrollin. Të plagosurit, të cilët janë familjarë me njëri-tjetrin, janë transportuar menjëherë drejt spitalit dhe fatmirësisht janë jashtë rreziku për jetën.
26 shator 2012 (gazeta-Shqip.com)
Aksidente në Fier dhe Gjirokastër, 1 i vdekur e 8 të plagosur burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip