Aksidentet, 12 të plagosur e 2 të vdekur në Lezhë, Kavajë e Tiranë
Tiranë - Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa 12 të tjerë janë plagosur në katër aksidente të ndryshëm në Lezhë, Kavajë dhe Tiranë. Burime policore thanë se dy prej aksidenteve mbingarkuan Urgjencën e Spitalit Rajonal të Lezhës në një fundjavë aksidentesh. Bilanci i rëndë brenda 24 orëve në qytetin e Lezhës me 11 të plagosur dhe 1 i vdekur i atribuohet katër aksidenteve dy në superstradën Lezhë-Shkodër në distancë vetëm 1 kilometër nga njëri-tjetri, ndërsa dy të tjerë ndodhën dje në mesditë ku kanë mbetur të plagosur pesë persona. Ndërsa në aksidentet në Kavajë e Tiranë, 1 person humbi jetën dhe një tjetër u plagos, duke e çuar në total numrin në 12 të plagosur dhe 2 të vdekur në fundjavë.
Aksidenti i parë ndodhi dje rreth orës 11:00 në hyrje të fshatit Balldre, ku një automjet tip “Golf”, që drejtohej nga Prel Nika me detyrë oficer policie në Shkodër, ka goditur pas një parakalimi të gabuar një motoçikletë që drejtohej nga Simon Popa, 60 vjeç, nga fshati Rraboshte i Lezhës. Si pasojë e këtij aksidenti ka mbetur i vdekur pak orë pas ngjarjes në Spitalin Ushtarak të Tiranës 60-vjeçari Popa, ndërsa drejtuesi i autoveturës ka marrë plagë të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Vetëm një orë më vonë, një tjetër aksident është shënuar në dalje të fshatit Balldre, ku një autoveturë tip “Volks///vagen”, me targa të Lezhës, që drejtohej nga 28-vjeçari Marjan Pemaj, është përplasur me një furgon taksi me targa të Shkodrës me 4 pasagjerë, që drejtohej nga 42-vjeçari Gëzim Zijuka, që udhëtonin në drejtim të Lezhës.
Përplasja ishte e fortë, aq sa i nxori të dyja automjetet jashtë rrugës, ndërsa furgoni është rrotulluar disa metra poshtë rrugës. Si pasojë e këtij aksidenti kanë mbetur të plagosur rëndë drejtuesi i autoveturës, 28-vjeçari Pemaj, drejtuesi i furgonit, 42-vjeçari Zijuka si edhe 3 nga 4 pasagjerët që ndodheshin në furgon. Shkak i këtij aksidenti ishte manovra e gabuara e drejtuesit të autoveturës që drejtohej nga 28-vjeçari, Marjan Pemaj. Ndërsa aksidenti i tretë është shënuar mesditën e djeshme, dy orë pas dy të parëve. Dy automjete me targa të Tiranës, njeri tip “Volswagen Polo” dhe tjetri tip “Mercedes 2500” janë përplasur në hyrje të një parkingu në rrugën “Shtraus” në qendër të qytetit të Lezhës. Si pasojë janë lënduar dy drejtuesit e automjeteve, njëri prej të cilëve me dëmtime të rënda. Këto aksidente pasojnë ato të dy ditëve më parë në qendër të qytetit të Lezhës, ku pas përplasjes së dy automjeteve në bulevardin e qytetit, mbeten të plagosur 3 persona një prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore.
Aksidenti ka ndodhur mesditën e djeshme në aksin Kavajë-Rrogozhinë, në afërsi të kryqëzimit të fshatit Ballutje i ka marrë jetën një 61-vjeçareje. Viktima Fitnete Shehu po kalonte rrugën teksa është përplasur nga një autobus pasagjeresh i linjës Elbasan-Tiranë, i cili e ka tërhequr trupin e gruas rreth 20 metra në rrugë. Për pasojë, e moshuara nuk ka mundur tu shpëtojë plagëve, të cilat i kanë shkaktuar dhe vdekjen e menjëhershme.
Mësohet se shkak i këtij aksidenti, sikurse disa të tjerë që kanë ndodhur, është mungesa e mbikalimeve për këmbësorët, të cilët tentojnë të kalojnë rrugën.
Një aksident është shënuar përballë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë. Një 29-vjeçar që ecte me motoçikletë ka aksidentuar rëndë një të moshuar, i cili aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së shtunës kur 29-vjeçari Andi Topi ishte duke ecur përgjatë Unazës shumë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, ndërsa i moshuari, 81-vjeçari Myqerem Malaj, i ka dalë para dhe për pasojë u plagos rëndë nga përplasja me motorin. Mësohet se gjendja e të moshuarit është e rëndë dhe po merr mjekim ne Spitalin Ushtarak.
6 Korrik 2009