Moti dhe zgjedhjet nuk e favorizojnë turizmin
Procesi zgjedhor dhe moti jo i përshtatshëm kanë qenë armiqtë e sezonit turistik në vend gjatë dy muajve të parë të tij. Megjithëse sezoni i pushimeve ka nisur në të gjithë vijën bregdetare të vendit, specialistët e agjencive turistike pohojnë se një pjesë e mirë e njerëzve, po presin rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për të vendosur më pas që të pushojnë. Kjo pasi një pjesë e administratës i lidh zgjedhjet me sigurinë e vendit të punës. Por, nga ana tjetër, moti jo i favorshëm e ka fashitur interesin, sidomos plazhin ditor. Ka më shumë se tri javë që në mesditë ka shira të dendura të shoqëruara me stuhi, të cilat e bëjnë të papërshtatshëm detin për frekuentim. Mirëpo nga ana tjetër qytetet turistike këtë vit janë me atraktive se kurrë, për shkak të infrastrukturës më të mirë rrugore. Këtë vit kanë hyrë në funksion disa rrugë të reja turistike, ku më kryesorja është ajo e bregut të Jugut nga Llogoraja në Sarandë. Gjithashtu janë në funksion disa rrugë të asfaltuara që lidhin plazhet e Adriatikut, me rrugët nacionale.
Anija turistike portugeze "Arion" sjell në Durrës 160 turistë
Plazhi dhe qyteti bregdetar i Durrësit tërheqin vazhdimisht turistë disaditorë nga vende të ndryshme të botës. Burime nga kapiteneria e Durrësit pohojnë se anija turistike portugeze "Arion" ka sjellë në Portin e Durrësit rreth 160 turistë nga vende të ndryshme të Europës, duke shënuar njëkohësisht vizitën e 8-të të saj në harkun e dy muajve. Referuar statistikave në administratën e portit, në këto rrugëtime "Arion" ka sjellë gjithsej gjatë kësaj periudhe 1300 vizitorë. Kroçera portugeze "Arion" ka mbërritur në portin detar të Durrësit për të tetën herë brenda dy muajsh. Ajo kryen një itinerar turistik njëjavor në porte të ndryshme të Mesdheut dhe në bordin e saj ka kryesisht turistë francezë. Por nuk mungojnë vizitorët dhe nga SHBA-ja, Belgjika, Anglia, Gjermania, etj. Anija turistike u ankorua në kalatën numër 4 të portit, ndërsa për turistët nisi realizimi i axhendës së parapërgatitur nga organizatorët. Turistët kanë zhvilluar vizita disaorëshe në qendrat muzeale, arkeologjike dhe historike të qyteteve të Durrësit, Krujës, Tiranës etj.
6 Korrik 2009