E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet penale që “importoi” qeveria pas 28 qershorit

Skandalet ende të pambyllura, organi i akuzës në sprovë. Shanset për finalizimin e proceseve që bënë bujë në Shqipëri

Habjon Hasani

Tiranë - A iu vu kapak Gërdecit tanimë që pas 28 qershorit ky fshat (ndoshta me emrin më të përmendur në Shqipëri) votoi blu? Në fakt organi i akuzës duket se është “kompleksuar” që para 28 qershorit lidhur me qëndrimin e tij për dosje të rëndësishme si ”Gërdeci”, ”Rrëshen-Kalimash” apo ”Fazlliç”. Ajo çka dihet që tani është fakti se dosja ”Fazlliç” është ”taposur” dhe me vendim gjykate u pushuan hetimet. Ndërsa dosja ”Rrëshen-Kalimash” pret verdiktin e Prokurorisë për ta çuar ose jo drejt gjykatës. Dosja ”Gërdeci” nuk ka shumë nevojë për dilemat e prokurorisë, pasi është në shqyrtim e sipër. Ama, i sigurt është fakti se rimandatimi si deputet i të pandehurit Fatmir Mediu nuk do t’ia bëjë më të lehtë punën organeve të Drejtësisë. Gazeta ”Albania” informoi e para se rreth dy muaj para fillimit të fushatës elektorale Prokuroria stopoi çdo aksion të sajin në drejtim të këtyre dosjeve për të mos marrë ndonjë ”rol” gjatë muajve të nxehtë të garës politike. Duket se në Prokurorinë shqiptare ndryshojnë herë pas here drejtuesit, por ngelet konstant mentaliteti i mënyrës së të punuarit. Gjatë muajit qershor organi i akuzës duket se e ka “mbledhur mendjen” se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim hetimor apo procedural në lidhje me disa dosje të rëndësishme që janë në proces. Të tilla janë dosja “Gërdeci”, ajo “Rrëshen-Kalimash”, dosja “Trafiku i armatimeve”, e cila ende nuk është përfunduar së hetuari, por edhe një sërë dosjesh të tjera që kanë lidhje me ekipin e Task-Forcës në Prokurorinë e Tiranës, ekip ky që heton shkeljet dhe abuzimet e zyrtarëve.
Taposja
Skadimi i afatit hetimor për biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazlliç e gjeti Prokurorinë e Tiranës pa ndonjë akuzë për zotin Fazlliç. Kjo do të thotë se automatikisht hetimet për këtë çështje bëhen “nul”. Por dyshimi është se nuk janë hetuar veprimet financiare të mikut të kryeministrit. Hetimi do të bëhej i mundur vetëm në rast se dokumentet ekzistuese të sekuestruara nga organi i akuzës do të krahasoheshin me letër-porositë që Prokuroria kishte dërguar në Zvicër, Qipro, Bosnjë dhe në Londër. Asnjë letër-porosi nuk ka ardhur dhe në këto kushte (për vonesa që nuk varen prej saj) Prokuroria mund të kishte argumentuar shtyrjen e afateve hetimore për hetimin e biznesmenit të shumëpërfolur. Nuk ndodhi kështu dhe hetimet u pushuan. Ndonëse letër-porositë mund të nxirrnin në dritë veprime dhe transaksione më të “rënda” se ato që zbuloi media, prokurorët nuk ndërmorën asnjë veprim për të garantuar ardhjen e këtyre letër-porosive. Por duket se një dështim tjetër spektakolar i organit të akuzës është mungesa e hetimit në lëmin e prokurimeve dhe shitblerjes së energjisë elektrike, ku zoti Fazlliç rezultoi krejtësisht i implikuar. Por organi i akuzës, ndonëse kishte mundësi të argumentonte zgjatjen e hetimeve (pasi letër-porositë nuk varen prej saj) preferoi të “hiqte qafe” këtë dosje të shumëpërfolur, që përveç njerëzve të afërt të kryeministrit, nxori në dritë të diellit dhe bizneset e amerikanëve që i bënë fushatën e vitit 2005 zotit Berisha.
Kalimash
Një pjesë e rrugës Durrës-Kukës është e hapur për kalimtarët, por në zyrat e organit të akuzës ka dilemë të madhe për rindezjen e një hetimi dhe ridërgimin e kësaj dosjeje në gjykatë. Prokuroria e Përgjithshme ka dhe një tjetër rrugë për të rinisur gjykimin e çështjes. Kjo lidhet me një hetim të dëmeve të kryera në avancë apo në një përllogaritje të dëmit total. Prokurorisë do t’i duhej të merrej vetëm me abuzimet e konstatuara në gërmimet e dheut (të cilat vazhdojnë edhe sot), për ta përdorur si shkëndijë të rihetimit. Një variant i tillë ka ngelur “pezull” dhe natyrisht organi i akuzës nuk ka ndër mend të hedhë asnjë hap pa përfunduar zgjedhjet. Nën zë përfaqësues të këtij institucioni thonë se “ngrirja” e veprimeve nga ana e organit të akuzës lidhet me shmangien që ky organ i ka bërë mundësisë së paragjykimit dhe baltosjes nga faktorët politikë në rast se Prokuroria ndërmerr masa.
Prokurorët e dosjes “Rrëshen-Kalimash” e shpallën të pandehur ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha, në një periudhë kur hetimet zyrtare kishin përfunduar dhe kur kërkesa e tyre për shtyrje të afateve hetimore u rrëzua nga gjykatat. Ky fakt i shërbeu Gjykatës së Lartë për të pezulluar tërësisht hetimin dhe për të “ngrirë” çështjen e hetimit të abuzimeve me rrugën “Durrës-Kukës”.

Firma që ndërtoi Fabrikën e Gërdecit u injorua në fshehtësi

Prokuroria e Përgjithshme ka preferuar të ngelet “stand by”, pa dhënë asnjë lloj shpjegimi edhe në lidhje me verifikimet e saj për firmën “TDC”, e cila ndërtoi Fabrikën e Gërdecit. “Albania” informoi ekskluzivisht mbi ekzistencën e kësaj kompanie, ndërsa po para një jave, Prokuroria i drejtoi QKR-së një kërkesë zyrtare për të verifikuar të dhënat mbi kompaninë “TDC”. Por, sikurse treguan dokumente të tjera të dala nga dosja e Prokurorisë për çështjen “Gërdeci”, organi i akuzës kishte sekuestruar që në muajin tetor 2008 dokumente zyrtare, të cilat denonconin qartësisht rolin e kësaj firme në ndërtimin e paligjshëm dhe pa leje që “TDC” i bëri Fabrikës së Gërdecit. Nga tetori 2008 deri në prill 2009 (para një jave) bëhen gati gjashtë muaj. Prokuroria deklaroi para një jave se sapo ishte njohur me ekzistencën e kompanisë, por kur në media u paraqitën fakte që provonin të kundërtën, organi i akuzës refuzoi të komentonte mbi mos hetimin e saj për gjashtë muaj. Në përpjekje për të kuptuar më shumë mbi atë që mund të ketë ndodhur me trajtimin e kësaj kompanie për gjashtë muaj në zyrat e Prokurorisë, “Albania” konsultoi ekspertë ligjorë. Sipas ekspertëve, që nga momenti i sekuestros së dokumenteve në tetor, Prokuroria duhet të kishte sqaruar çdo element që shfaqej i dyshimtë në ato dokumente. Por nuk ndodhi kështu. Ndonëse Prokuroria zotëronte një raport sekret të Policisë Ushtarake, që denonconte rolin e firmës në ndërtimin e Fabrikës, Prokuroria për gjashtë muaj me radhë nuk bëri asnjë verifikim për të mësuar se kush ishin personat pas kësaj firme. Grupi i prokurorëve ka rimarrë në shqyrtim mundësinë e hetimit të kësaj firme, por çdo gjë është e pezulluar për momentin.

Dosjet e pronave, sfida e Prokurorisë përballë ”VIP”-ave

Vetëm gjatë muajit nëntor 2008 në Prokurorinë e Tiranës kanë mbërritur 23 denoncime të ndryshme për abuzimet me pronat. “Albania” është informuar dje pranë organit të akuzës lidhur me dosjet më të rëndësishme të pronave që ky institucion po trajton, ndërsa burime nga ky organ kanë bërë të ditur se hetimet shtrihen në një hartë të larmishme, ku disa syresh përfshijnë abuzime dhe zhvatje të dyshuara të qindra hektarëve. Duket se dosja më e nxehtë aktualisht është dosja “Gjiri i gjeneralit” ku bëhet fjalë për më shumë se 450 hektarë tokë shtetërore (ish-bazë ushtarake), që nëpërmjet një procesi të dyshuar si i falsifikuar i ka kaluar e gjithë sipërfaqja shtetërore në pronësi një familjeje të vetme, duke ia “kthyer” këtë pronë nëpërmjet një trashëgimie të pretenduar me dokumente false. Hetimi i prokurorit të çështjes është ezauruar, ndërsa dosja është në zyrën e kryeprokurorit të Tiranës, Genti Xholi. Kjo dosje implikon zyrtarë shumë të lartë të AKKP-së si dhe disa biznesmenë dhe juristë që janë implikuar në këtë histori. Një sërë hetimesh (të sapofilluara) lidhen me një sipërfaqe prej 700 hektarësh, pronë në fushën e Novoselës, pranë Vlorës. Sërish precedenti i falsifikimit të dokumenteve është prezent, ndërsa dhjetëra familje kanë pretenduar zhvatjen e tokës në mënyrë të paligjshme nga një dorë e vetme që ka kryer gjithë procedurën. Çështja sapo ka filluar, ndërsa burime nga prokuroria i thanë dje “Albania”-s se “të dhënat paraprake tregojnë se sërish AKKP-ja e Tiranës ka mbështetur, madje në disa raste ka iniciuar disa procedura tërësisht të pakontrolluara dhe të paligjshme. Sipërfaqja e tokës është shumë e madhe dhe për nga mënyra dhe shpejtësia me të cilën është kryer procesi i dyshuar si antiligjor dyshohet se në të mund të jenë të implikuara interesa të fuqishme, si në rastin e “Gjirit të gjeneralit”. Por sërish nuk mund të mungonte zona e Kasharit nga lista e hetimeve. Të tjera falsifikime dokumentesh dhe tjetërsime pronash janë evidentuar (përveç rasteve që kanë kaluar në gjykatë), ndërsa sërish zyrtarë lokalë dhe biznesmenë ndërtues janë evidentuar në procese falsifikimi.

6 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›