E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aksidentet 2005, shuhen dy jetë ne dy dite

04/01/2005  Megjithë masat e marra nga policia rrugore, ditët e para të këtij viti kanë shënuar 2 të vdekur nga aksidentet automobilistike. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut, saktësojnë se me masat e marra u bë e mundur që festat e fundvitit të kalonin të qeta dhe të gëzueshme për qytetarët. Për rrjedhojë nuk u shënua asnjë incident gjatë festimeve. Policia bëri rritjen e sigurisë dhe krijimin e kushteve sa më optimale gjatë zhvillimit të kremtimeve. Komisariati i Policisë Rrugore mori masa të vazhdueshme për përballimin e fluksit të madh të trafikut si dhe shmangien e aksidenteve automobilistike. Gjatë mbrëmjes së ndërrimit të viteve, ku pjesëmarrja e qytetarëve ishte masive, në sheshin “Skënderbej” në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në zonën e ish-Bllokut, u zhvilluan aktivitete, ku nuk pati incidente nga përdorimi i shumtë i fishekzjarreve. Por datat 2 dhe 3 surprizuan policinë. Një aksident në Laprakë dhe një i dytë te Shinat e Trenit përmbysën situatën. Florian Fejziu dhe Viktor Beleshi humbën jetën në përplasjet e makinave ku udhëtonin.

Aksidentet

Në datën 2 janar, në mbrëmje, Florian Fejziu udhëtonte së bashku me të vëllanë, Enean, në mjetin tip fuoristradë me targa TR 1317 H. Në afërsi të karburant "Eurodrini" në Laprakë, një "Fiat Uno" me traga TR 9351 E, drejtuar nga Artur Davidhi doli nga pika e karburantit për në autostradë, pa kontrolluar rrugën. Për pasojë, duke mos u kujdesur të ruante krahun e djathtë u përplas me fuoristradën. Ndërsa dy shoferët e makinave i shpëtuan paq dëmtimit, i vetmi udhëtar që gjendej në to, Florian Fejziu, vdiq në vend nga përplasja e kokës dhe humbja e shumtë e gjakut. Policia arriti të vinte në pranga autorin e aksidentit, Artur Davidhin, i cili u dërgua në qeli. Sakaq, dita e djeshme ka shënuar aksidentin e dytë automobilistik për ditët e festës. Rreth orës 04.00 të agimit, në afërsi të Nish Tulla nr.3 te shinat e trenit, një automjet tip "Benz" me targa TR 0541 K, drejtuar nga Bilbil Shalsi ka humbur kontrollin e timonit. Alma Katragjini shton se makina është përplasur në vendin e rojes që ruan postbllokun e hekurudhës. Për pasojë është aksidentuar me vdekje Viktor Beleshi. Ndërsa 30-vjeçari ka humbur menjëherë jetën, 2 pasagjerë të tjerë të "Benzit" janë lënduar lehtë. Ata gjenden aktualisht në spital, jashtë rrezikut për jetën. Sakaq, policia ka arritur të vërë në pranga drejtuesin e automjetit. Shalsi u vu në prangat e bluve të qarkullimit rrugor pak orë pas aksidentit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Policia ndëshkon shoferët

Gjatë ditëve të festës, shërbimet e policisë rrugore kanë bllokuar 3 automjete, drejtuesit e të cilëve nuk posedonin dokumente të rregullta për to si dhe qenë grabitur gjetiu. Veç kësaj, 10 shoferëve iu hoqën lejet e drejtimit të mjeteve për shkelje të rënda të kodit rrugor. Masa më e lehtë ndëshkimore ishte gjoba, e cila u aplikua në 254 raste, përgjithësisht për tejkalime të shpejtësisë dhe parakalime të gabuara. Për kalimtarët, policia i ka ndërprerë gjobat për hyrje të pakontrolluara në rrugë, pasi presupozohet se qarkullimi i këmbësorëve është disiplinuar pas aksionit të fundëm të bluve në muajin nëntor.

Precedenti, humbën jetën 4 gra

Data 28 dhjetor shënoi në Vorë një aksident të rëndë automobilistik. Një fuoristradë me targa të Durrësit, drejtuar nga Hajredin Allaraj doli nga rruga, duke përplasur Zana, Bukurie, Vera Pecanin si dhe Roza Markun. Viktimat ishin nga Vau i Dejës së Shkodrës dhe posa kishin zbritur nga treni i linjës. Shoferi i papërgjegjshëm u largua nga vendi i ngjarjes për t'u shpëtuar prangave. Allaraj u shpall person në kërkim, por ende nuk është arrestuar nga blutë. E megjithë viktimat, Drejtoria e Hekurudhave vijon të mos e rekuperojë dëmtimin e urës së Limuthit, duke ndrëprerë kësisoj kalimin e trenit për në kryeqytet. Udhëtarët vazhdojnë ende të ndalen në Vorë dhe të marrin rrugën drejt Tiranës me furgona të rastit. Kalimi nga një anë e autostradës në tjetrën u rrezikon seriozisht jetën.

Përflaket bombula e gazit

Një bombul gazi ka marrë zjarr paraditen e djeshme në një aparatament te "Xhamia e Tabakëve", duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Për fat, të zotët e shtëpisë nuk janë cënuar aspak nga incidenti, i cili, sipas specialistëve i ka pasur të shumta gjasat për të marrë jetë njerëzish.

Ngjarja

Viti i ri kursen viktimat në një familje kryeqytetase. Burime policore nga Komisariati nr.1 bëjnë të ditur se rreth orës 11.00 të së djeshmes, në një apartament pranë xhamisë së Tabakëve, bombula e gazit të sobës mori flakë, duke cënuar jetën e banorëve të shtëpisë. Mësohet se ata e kanë nxjerrë menjëherë stufën në korridorin e jashtëm të pallatit për ta shuar. Nuk dihet me saktësi se sa kohë mund të ketë qëndruar i ndezur zjarri në orendinë shtëpiake. Ndërsa të zotët e sobës dhe fqinjët rrekeshin të shuanin flakët që nuk po merrnin fund, një tjetër banor i godinës lajmëroi zjarrfikëset. Për fatin e mirë të të gjithëve, zjarrfikësit nuk u lodhën shumë për të neutralizuar vatrën e flakës. Në pak sekonda gjithçka mori fund, duke lënë pas vetëm tymin. Të njëjtat burime nga Komisariati nr.1 saktësojnë se zjarri në sobën e gazit nuk mori përmasa fatale, falë ndërhyrjes së shpejtë të të zotëve të shtëpisë, të cilët u rrekën që në momentet e para ta shuanin. Neglizhenca e tyre më e vogël do të kishte pasoja katastrofike. Specialistët mbetën të habitur lidhur me mosshpërthimin e bombulës së përfshirë nga flakët. Shkaku në fjalë mbetet ende mister, që në një farë mënyre i dedikohet mrekullisë së festave. Raste të shpërthimit të bombulave të vogla të gazit janë të shpeshta. Për fat të mirë, nuk ngjasin rëndom raste si ai i djeshmi, pasi shumica drastike e bombulave mbartin rrezikshmëri në këtë aspekt. Afro 3 muaj më parë, Inspektoriati i Kontrollit të Hidrokarbureve kreu një fushatë kontrolli në tregje, ku u evidentua ekzistenca e bombulës më të vjetër. Ajo datonte në vitin 1957. Sipas specialistëve, nuk është e vetmja bombul "antike" në tregjet shqiptare. Kësisoj, rreziqet e shpërthimit apo anomalive të tjera janë gjithnjë evidente.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›