E Hënë, 2 Nëntor 2026

Droga, pritësit në Athinë u shpëtojnë prangave greke

04/01/2005  TIRANË –Të kërkuarit në Shqipëri dhe në Greqi preferojnë Shqipërinë. Me shpresën se një telefontë e policisë do t'i lajmërojë për aksionin e kapjes së tyre, apo se një gabim i mundshëm do t'u kushtojë faljen. Kjo ka ndodhur me tre shqiptarë të kërkuar për trafik droge mes vendit tonë dhe Greqisë. Ata dyshohen si bashkëpunëtorë të shoferit të ambasadës greke në trafikun e drogës. Të tre janë identifikuar nga telefoni i Ilir Ajazit. Në aparatin celular, që u sekuestrua pas kapjes së Ajazit me tre kile drogë, janë zbuluar emrat e personave që prisnin të merrnin drogë dhe të realizonin më pas trafikimin dhe shitjen e saj. Kapja e punonjësit diplomatik në datën 29 nëntor të vitit të shkuar, me një sasi droge në makinë, nuk është kaluar pa vëmendje në fqinjin helen. Prej ditës së arrestimit të Ilir Ajazit me tre kile drogë, tre aksione sekrete janë organizuar nga policia vendase për prangosjen e bashkëpunëtorëve të shoferit të përfaqësisë diplomatike.

Dështimet

Tre aksionet, edhe pse të organizuara në konsiparicon të plotë, kanë dështuar, pasi trafikantët besohet se nuk ndodhen më në Greqi. Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, konfirmon se ka identifikuar plotësisht njërin prej personave që prisnin drogën që do të çonte në Greqi, Ilir Ajazi, shofer i ambasadës së këtij vendi në Tiranë. Sipas informacioneve greke, agjentët e antidrogës kanë rënë në gjurmët e tre trafikantëve, kanë tentuar t'i arrestojnë, por ata nuk janë gjendur. Sipas informacioneve operative të hetimit në të dy shtetet, besohet se duke vënë në përdorim identitete të rreme, trafikantët janë kthyer në Shqipëri, duke e ndjerë veten më të sigurt. Kjo pistë është përdoruar nga disa dëshmi, sipas të cilave të kërkuarit nuk janë parë më në zonat ku banonin.

Hetimi

Tre shqiptarë dhe një grek janë personat e skeduar si pritës të drogës që u nis nga Tirana me makinën e shoferit të ambasadës greke. Katër trafikantët, tre prej të cilëve shqiptarë, sipas planit duhej ta merrnin narkotikun nga Ilir Ajazi, për ta trafikuar dhe shitur më pas atë në tokën helene. Por kapja e Ilir Ajazit dhe drogës që transportohej në makinën e tij, i ka turbulluar disi bashkëpunëtorët në trafik. Lëvizjet e katër personave (trafikantët) në disa prej vendeve ku pritej droga që shkonte nga Shqipëria, kanë qenë të dyshimta për policinë greke, teksa gdhihej 30 nëntori i vitit 2004. Efektivat policorë janë vënë pas të dyshurve, pa arritur t'i vënë në pranga ata. Pak çaste më pas, nga zyrat e Interpolit qarkulloi identiteti i bashkëpunëtorëve. Madje, shërbimet e specializuara vunë në shërbim të hetimit edhe një fotografi sekrete, kur pjesëtarët e grupit bënin pazaret e drogës. Ilir Ajazi e pranoi akuzën dhe dëshmoi jo vetëm për bashkëpunëtorët, por edhe për mënyrën se si punohej dhe një pjesë të mirë të rrugëve që ndiqte narkotiku, i cili kalonte prej tre vitesh me lehtësi në kufi, falë një pasaporte diplomatike.

Skema e trafikut

Shqipëri-Greqi

Ilir Ajazi, shofer i familjes së ambasadorit grek në Tiranë, u arrestua mbrëmjen e së hënës së kësaj jave, me 3.3 kile heroinë në makinën e tij, të cilën e vinte në përdorim gjatë punës në ambasadë. Dy ditë pas arrestimit të tij, në seancën gjyqësore për masën e sigurisë, ai e pranoi akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës, duke folur për emrat e bashkëpunëtorëve dhe për shumat e pazareve të drogës. “Kam fituar 1000 dollarë për çdo rrugë”, ka pohuar Ilir Ajazi. Prokuroria tha se ai ka ushtruar trafikun e narkotikut prej më shumë se dy viteve, ndërsa prej një viti shfrytëzonte imunitetin diplomatik, për të kaluar pa kontrolle makinën e tij në doganë bashkë me drogën në bordin e saj. Në telefonin celular të shoferit të ambasadës, hetuesit kanë gjetur emrat e disa bashkëpunëtorëve të tjerë në trafik, ndërsa përgjimi telefonik i bisedave ndërkombëtare ka zbuluar bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët pritet të vihen në pranga. Por, ndërsa Ilir Ajazi pranonte akuzën dhe dëshmonte mbi veprimtarinë e grupit, dy të arrestuarit e tjerë për bashkëpunim në trafik, kundërshtonin akuzën. Krenar Çako dhe Valter Foto, dy të arrestuarit për bashkëpunim me Ilir Ajazin, kanë pohuar se nuk e njohin shoferin e ambasadës dhe se nuk kanë bashkëpunuar në trafik. Tre të arrestuarit për trafik droge mes Shqipërisë dhe Greqisë janë në qelitë e paraburgimit, nën masën e sigurisë arrest në burg. Sipas hetimeve, narkotiku sillej nga Turqia në Shqipëri dhe më pas nisej drejt Greqisë, nën transportin e Ilir Ajazit dhe kujdesin e bashkëpunëtorëve të tij.

Dekonspirimi i akisonit ndërkombëtar

Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë reaguar kundër publikimit të akisonit nga policia, gjatë kohës kur po kryheshin arrestimet për trafikun e drogës. “Tre persona, pritës të drogës, janë identifikuar dhe do të arrestoheshin në Greqi, nëse policia nuk do të publikonte aksionin para përfundimit të tij”, është shprehur Prokuroria. Sipas saj është ushtruar një kontroll i rreptë mbi hetuesit dhe prokurorët, në mënyrë që ata të mos jepnin asnjë informacion për mediat, derisa aksioni të përfundonte me arrestimin e të gjithë personave të implikuar në trafik. “Por policia është nxituar të publikojë pjesën e saj të aksionit me prangosjen e tre personave, duke dekonspiruar drejtpërsëdrejti arrestimin e të paktën tre trafikantëve të tjerë”, thanë burimet e akuzës. Sipas tyre, ky nuk është aksioni i parë i dekonspiruar nga policia dhe etja e saj për të publikuar rezultatet. Të paktën katër persona, sipas Prokurorisë, shpëtuan në muajin qershor të këtij viti nga arrestimi për trafik ndërkombëtar droge, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Kompas”.

Dyshimi për një

organizatë fisnore

Prokuroria e Krimeve të Rënda po verifikon të gjithë personat që kanë lidhje fisnore me të arrestuarin për trafik droge, Ilir Ajazi. Objekti i këtyre hetimeve është zbardhja e dyshimeve për një “organizatë të trafikut të drogës me karakter fisnor”. Sipas Prokurorisë, disa nga të afërmit e fisit dhe shoqërisë së Ajazit, janë marrë në pyetje dhe po verifikohen. “I pandehuri për trafikim ndërkombëtar të drogës, ka dëshmuar për më shumë se 30 persona të përfshirë në rrjetin e narkotrafikut. Mes këtyre personave, sipas provave hetimore, ka edhe të afërm të personit të arrestuar”, thanë burimet zyrtare nga organi i hetimeve. Sipas tyre, në objektin e hetimeve janë pasuria, vendbanimet, kontaktet, bisedat telefonike dhe aktiviteti i personave të afërt të fisit dhe shoqërisë së Ilir Ajazit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›