Federata angleze dënon Runin
30/12/2004 Pas shumë diskutimeve Federata Angleze e Futbollit ka marrë vendimin për të ndëshkuar sulmuesin e Mançester Junajtid, Uejni Runi si dhe lojtarin e Boltonit Tal Ben Haim. Ata që ta dy ishin përfshirë në një zënkë me njëri-tjetrin në fushën e blertë gjatë takimit të zhvilluar në “Old Traford” ditën e dielë. Runi kishte shtyrë me forcë mbrojtësin e Boltonit duke e gjuajtur në fytyrë pikërisht në fundin e pjesës së parë. Në fakt ish-sulmuesi i Runit i kishte shpëtuar censurës prej gjyqtarit Dermot Galager, por jo kamerave televizive që kishin shfaqur mjaft hapur gjestin e dhunshëm ndaj Ben Haim. Në këtë mënyrë edhe komisioni disiplinor i federatës angleze duke patur parasysh shqyrtimin e këtyre pamjeve televizive e ka dënuar vepriimin e Runit si “një sjellje të dhunshme”. Nga ana tjetër edhe Ben Haim nuk i ka shpëtuar dorës së rëndë të kësaj federate, ku është dënuar ndryshe nga sulmuesi i Mançester Junajtid me “sjellje të pahijshme”. Federata ka reaguar ashpër edhe ndaj mbrojtësit të Boltonit për shkak të veprimit teatral të treguar nga ai gjatë konfrontimit me talentin 19 vjeçar. Kështu, në një deklaratë speciale të federatës angleze është nënvizuar se Runi do të përballet më konkretisht me formën e tij ndëshkimore vetëm në fundjavë. Pritet që ai do të përballet me tre ndeshje skualifikim duke filluar qysh nga takimi i radhës në datën 1 janar kundër Midëllsboros. “Futbollisti i Mançester Junajtid Uejni Runi është akuzuar për sjellje të dhunshme në fushë konform rregullit E3 të federatës angleze, thuhet në deklaratën për shtyp të federatës angleze. Përveç kësaj edhe mbrojtësi i skuadrës së Boltonit Tal Ben Haim është dënuar po sipas këtij rregulli, por me akuzën sjellje të pahijshme. Këto akuza lidhen me një aksident që përfshin të dy lojtarët gjatë takimit të zhvilluar në takimin e datës 26 dhjetor midis Mançester Junajtidit e Boltonit. Duke respektuar sistemin e ri disiplinor në federatën angleze, Uejni Runit do ti kërkohet që të japi përgjigje për akuzat e tij në orën 18:00 të ditës së enjte në 30 dhjetor. Nëse ai do ta pranonte këtë akuzë, atëherë automatikisht ndëshkimi për atë do të ishte një pezullim prej tre ndeshjesh në Premier Ligë. Nëse ai do ta mohonte akuzën, atëherë çështja do t’i kalonte për shqyrtim komisionit disiplinor në datën 31 dhjetor. Ndërkaq Tal Ben Haim do të ketë kohë deri në datën 20 janar që t’i përgjigjet akuzave të ngritura kundrejt tij”. Përveç takimit me Midëllsboron, Uejni Runi do të mungojë edhe në ato kundër Totenhemit dhe Ekseterin në Kupën FA. Ai do të jetë i gatshëm për t’u aktivizuar në takimin gjysmëfinal të Kupës Karling kundër Çelsit në datën 12 janar.