E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyteti gdhihet i mbuluar nga uji

 

DURRES - Qyteti bregdetar është zgjuar dje i përmbytur. Por nëse qendra e qytetit të Durrësit paraqitet dinjitoze, në shumë lagje periferike, apo sheshe dytësore si stacioni i trenit, apo zona rreth stadiumit kryefjala e ditës ka qenë uji. Reshjet e shiut të rëna pa ndërprerje gjatë të gjithë natës kanë rënduar situatën, e kanalizimeve e cila nga mungesa e investimeve është bërë një problem gangrenë për qytetarët. Shumë udhëkryqe kanë qenë të pakalueshme jo vetëm në këmbë por edhe me automjet. Burimet saktësojnë se është ringritur grupi i punës për përballimin e emergjencave. Vëmendja përqendrohet tek dy hidrovorët e vetëm të qarkut ai i Hamallajt dhe ai i Porto-Romanos nga të cilat varet fati i qytetit që rrezikon përmbytjen. Bordi kullues bën me dije se në Porto Romano kapaciteti ujënxjerrës është afro 13 metra kub ujë për sekondë. Në të janë aktivizuar të teta pompat thithëse të ujit, që kryejnë transportimin e tij nga zona e Kënetës në det. Përsa i përket përmbytjeve në ranga Qarku, llogaritet në dhjetëra hektarë sipërfaqja e tokave bujqësore, e cila është vënë nën ujë. Ndërkohë reshjet e vrullshme të shoqëruara nga një erë me shpejtësi deri në 20 metra për sekondë kanë rikthyer alarmin e përplasjeve të anijeve në port. Kapitaneria dhe Autoriteti Portual kanë vënë në gatishmëri rimorkiatorë dhe anije pilotazhi, në mënyrë që trafiku detar të mos shënojë asnjë incident. Anijet e pasagjerëve dhe ato të mallrave kanë marrë udhëzime të prera nga Kapitaneria për të përforcuar cimat që mbajnë të lidhura në molo mjetet lundruese.                                   o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›