E Diel, 1 Nëntor 2026

Ura-Vajgurore, banorët alarm për ujin dhe mjedisin e ndotur

 

URA VAJGURORE - Banorët e qytetit të Urës-Vajgurore prej vitesh ankohen për ujin dhe mjedisin e ndotur. Shqetësimet e tyre drejtuar institucioneve lokale duket se kanë shkuar në vesh të shurdhër, pasi asnjë ndërhyrje konkrete nuk është realizuar. Banorët pohojnë se as premtimet e deputetit të zonës, Luan Memushi, nuk janë mbajtur. "Gjatë fushatave elektorale ai na premtoi shumë, por më pas asgjë nuk është bërë", u shprehën qytetarë të Urës-Vajgurore, duke paralajmëruar se do të bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare nëse situata do të vijojë të jetë e njëjtë. Kryetari i Bashkisë, Syrja Ormeni, pohoi dje rrezikun që i kanoset banorëve të qytetit të tij si pasojë e ujit dhe mjedisit të ndotur. "Banorët janë të rrezikuar, si nga ndotja e ambientit, edhe nga uji i pijshëm. Ne si bashki kemi përgatitur projektin për ndërtimin e një ujësjellësi të ri, të cilin e kemi dërguar në qeveri për fonde. Por ky projekt ka mbetur sirtarëve të ministrive, pasi asnjë fond nuk na është dhënë nga qeveria, me gjithë rrezikun që iu kanoset qytetarëve", u shpreh kryebashkiaku. Sipas tij, uji është tejet i ndotur, pasi ujësjellësi i vjetër ndodhet nën nivelin e shtratit të lumit Osum, i cili gjithashtu është shumë i ndotur. "Kemi marrë masa për të parandaluar edhe ndotjen e ambientit nga përpunimi i gurit të minierave. Janë ndëshkuar disa firma që nuk kanë zbatuar rregullat teknike për të vendosur hidrante pastrimi", thotë kryebashkiaku për situatën ambientale. Qyteti me 12 mijë banorë duket si në mjegull si pasojë e pluhurit nga përpunimi i gurit. Banorët aludojnë për posedimin e këtyre minierave nga pushtetarë të lartë, aq sa, sipas tyre, drejtuesit lokalë janë të pafuqishëm t'i "penalizojnë". Mbi 80 persona janë prekur nga ndotja, duke u paraqitur në spital me simptoma të rënda, por askush nuk reagon për këtë.                                      d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›