Ura e Matit, rrezik shembjeje
BURREL/ HASAN PASHA
Mjetet e rënda mbi 23 tonë mund të rrezikojnë shembjen e urës së Matit. Drejtues të komisariatit të policisë dhanë dje alarmin në lidhje me amortizimin e urës së ndërtuar nga italianët në vitin 1939 dhe mundësinë e shembjes së saj. Shefi i komisariatit të këtij rrethi, Besim Palamani tha se ai dhe drejtuesit e policisë rajonale të Qarkut Dibër kanë informuar institucionet shtetërore në lidhje me gjendjen kritike të urës. "Mbi urën e Matit nuk duhet të lëvizin mjete të tonazhit të lartë, pasi kapaciteti i saj mbartës nuk është i tillë", tha Palamani. Janë informuar nga ana jonë institucionet e larta shtetërore dhe jemi të gatshëm të ndërhyjmë për ndaljen e këtyre mjeteve, që jo vetëm mund të shkaktojnë shembjen e urës, por mund të shkaktojnë ndonjë ngjarje tragjike", pohoi ai. Muaj më parë drejtues të bashkisë së Burrelit dhe Prefekti i Qarkut Dibër, Xhafer Seiti u shprehën se shembja e urës së Matit do të sjellë izolimin e një pjese të verilindjes së vendit. "Lëvizja mbi këtë urë rrezikon jetën e banorëve të kësaj zone dhe të drejtuesve të mjeteve", thanë në një letër drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve vendorët e Burrelit. Shembja e urës dhjetëravjeçare është paralajmëruar vite më parë nga specialistët ndërtues të saj. Thuhet se inxhinierët italianë që e projektuan dhe ndërtuan kishin përcaktuar si kapacitet mbajtës të urës 24 tonë për aks, ndërkohë aktualisht mbi urën e Matit lëvizin dhe mjete me peshë mbi 70 tonë, mjete që transportojnë krom, lëndë drusore dhe mallra të tjerë ushqimorë apo materiale ndërtimi. Prefekti Seiti ka organizuar takime e biseda më zyrtarë të Ministrisë së Transporteve, ku u ka bërë të ditur atyre rrezikun serioz që paraqet shembja e kësaj ure të rëndësishme të aksit nacional Tiranë-Dibër-Maqedoni. "Rreth 23 vjet më parë specialistët e huaj kanë informuar Bashkinë e Burrelit dhe DPRR se garancia e kësaj ure ka mbaruar dhe se ajo duhet të rikonstruktohet totalisht", u shpreh prefekti Seiti. Ai dhe vartësi i tij në rrethin e Matit, Sefer Daçi kanë kërkuar si masë paraprake frenimin e mjeteve të tonazhit të lartë, në mënyrë që ato të mos lejohen të kalojnë mbi urën e amortizuar. Pak kohë pas reagimit të policisë lokale, Bashkisë Burrel dhe Prefektit të Dibrës Ministria e Transportit dhe ajo e Brendshme urdhëruan ushtrimin e kontrolleve mbi mjetet e tonazhit të lartë. Punonjës e specialistë të Drejtorisë së Transporteve nisën të peshojnë mjetet e ngarkuara me krom e mallra të tjerë, mirëpo pas pak ditësh kjo gjë u ndal. Kërkesa e fundit e shefit të komisariatit të Burrelit dhe autoriteteve të tjera vendore vjen pas konstatimit se çdo lëvizje e mjeteve me peshë të lartë mbi urë sjell lëkundje të saj dhe frikë e panik se një ditë ajo mund të shembet. Nuk dihet nëse do të zbatohet ky vendim, pasi në urën që ndodhet mes Burrelit dhe Klosit kalojnë kryesisht mjetet e rënda të mbushura me kromin e nxjerrë nga minierat. Ata nuk kanë një rrugë të dytë për të ndjekur, me qëllim evitimin e urës së vjetër dhe e vetmja masë pritet të jetë zbrazja e sasisë së peshës në atë të përcaktuar prej specialistëve.