Aksidentet, dëmtohen tre kosovarë dhe një shqiptar
ELBASAN - Një aksident i rëndë është regjistruar pas mesnate në aksin rrugor Elbasan-Librazhd-Qafë-Thanë.
Përgjatë këtij segmenti, në vendin e quajtur Pishkash, janë përplasur midis tyre një automjet me targa TR 1183 K, që drejtohej nga shtetasi Shefqet Buçaliu, 43 vjeç, nga Kosova me mjetin tip kamion me targa GJ 6513 A që drejtohej nga shtetasi B.M. Nga përplasja e këtyre dy mjeteve kanë mbetur të dëmtuar shtetasit Shefqet Buçaliu, 43 vjeç, B.B. 42 vjeç dhe F.K. 43 vjeç, që të tre nga Ferizaj i Kosovës, të cilët ndodheshin në automjetin me targa të Tiranës.
Që të tre këta shtetas, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore janë transportuar në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Ndërkohë kanë nisur hetimet për të nxjerrë në pah shkaqet e aksidentit. Nga hetimet paraprake bëhet i ditur se shkak për aksidentin ka qenë humbja e kontrollit të automjetit nga Shefqet Buçaliu, e ndihmuar kjo edhe nga lagështira, për shkak të shirave të shumtë të rënë ditët e fundit.
Ndërkohë, po në të njëjtin aks rrugor rreth mesditës është regjistruar një tjetër aksident ku si pasojë e përplasjes nga një mjet tip "Pajero Mitsubishi" të një motoçiklete është dëmtuar rëndë një 24-vjeçar. I dëmtuari, si pasojë e gjendjes së rëndë është transportuar edhe ai drejt Spitalit Ushtarak. Policia ka proceduar drejtuesin e mjetit, Gëzim Halili, 38 vjeç, me banim në Rrajcë të Librazhdit për shkelje të rregullave të qarkullimit.