Shitja e Albtelekom, Ruli e Angjeli ne prokurori
Mënyra e blerjes së kompanisë të telefonisë fikse është cilësuar abuzive nga organi i akuzës, me një dëm 200 mln
Prokuroria pritet të kërkojë edhe dëshminë e anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertës të shpërblyer për shitjen
TIRANË- Zyra e Task- Forcës, në prokurorinë e kryeqytetit thërret, për të dëshmuar në lidhje me shitjen e Albtelekom, ministrin aktual të Ekonomisë, Genc Rulin, si dhe paraardhësin e tij socialist, Anastas Angjelin. Të dy ata, sipas burimeve të organit të akuzës në kryeqytet, duhet të japin deklarime në lidhje me procedurat e ndjekura gjatë shitjes së kompanisë së vetme shtetërore të telefonisë fikse, Albtelekom. Paketës së shitjes së kompanisë së telefonisë fikse i qe bashkuar edhe një licensë e telefonisë së lëvizshme, ndërsa prokuroria pohon se ka gjetur abuzime gjatë procedurave përkatëse. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët shtuan se fletë-thirrja e sigluar nga drejtuesi i Zyrës së Hetimit të krimit ekonomik pranë prokurorisë së kryeqytetit, tashmë është bërë gati dhe pritet t'i dërgohet ministrit Ruli. Ai do të ftohet për të rideklaruar edhe njëherë në lidhje me shitjen e kompanisë Albtelekom. Rimarrja e ministrit në pyetje, sipas akuzës, do të bëhet për të riformuluar edhe njëherë pozicionin e tij në këtë rishit- blerje të përfunduar qershor të vitit 2008, ku mbi 70 % të aksioneve shtetërore të "Albtelekom" u blenë nga një kompani turke. Gjithashtu, mësohet se nga njësia e Task-Force-s pranë prokurorisë së kryeqytetit, pritet t'i dërgohet gjithashtu një fletë-thirrje zyrtare edhe ish-Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në kohën e qeverisë së Fatos Nanos, Anastas Angjeli. Ky i fundit, sipas akuzës, do të kërkohet të japë shpjegime në lidhje me ngritjen e Komisionit të Transparencës dhe Konsulencës, pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të 3 korrikut 2005, në vendin tonë. Ky komision, përbëhej nga 12 persona. Këta të fundit, me propozim të ish-ministrit Angjeli, Këshilli i Ministrave emëroi me anë të një vendimi të 12 personat në detyrën e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për shitjen e aksioneve të kompanisë shtetërore Albtelekom. Në këtë komision, janë përfshirë dhe disa konsulentë të huaj. Gjithashtu, këto burime bënë të ditur se 12 komisionerët dhe konsulentët me në krye ish-ministrin Angjeli, të emëruar me Vendim të Këshillit të Ministrave, pas shitjes së kompanisë "Albtelekom" për "punë të mirë" e kanë shpërblyer veten me 2 miliardë lekë të vjetra. Mësohet po ashtu, se Task- Forca e Antikrimit Ekonomik, ka bërë gati edhe 13 fletë-thirrjet e tjera, që do të dërgohen në adresë të këtyre komisionerëve dhe personave që kanë marrë pjesë direkt apo indirekt në përpilimin e kontratës për shitjen e "Albtelekomit". Pritet që fletë-thirrjet t'i dërgohen në fillim të javës që vjen, që të gjithë të ftuarit të paraqiten në prokurori, në ditë dhe orare të ndryshëm me cilësinë e deklaruesve dhe personave që kanë dijeni për këtë shit-blerje tashmë nën hetim. Sipas akuzës, anëtarët e komisionit dhe konsulentët e huaj, në mesin e vitit 2005, vendosën t'ia sheshin 70 % të aksioneve të shoqërisë shtetërore Albtelekom një kompanie turke me një vlerë prej 120 milionë euro. Sipas akuzës, të gjithë këta anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dyshohet se janë përgjegjës për vlerësimin e gabuar të ofertës që pasoi më pas me shitjen e saj. Kjo shitje e Albtelekomit, pas zgjedhjeve të fituara nga maxhoranca qeverisëse u kontestua duke zvarritur procesin e shitjes nga qershori i 2005 deri në qershor të 2007 ku qeveria vendosi nënshkrimin e kontratës dhe kalimin e aksioneve drejt kompanisë turke të shpallur fituese. Prej muajsh kjo dosje ndodhet në duart e hetuesve të njësisë së Antikrimit Ekonomik, e cila po heton për përgjegjësit kryesorë të dyshuar të këtij abuzimi. Dëmi i shkaktuar sipas hetuesve dyshohet se kap shifrën e rreth 200 milionë eurove, pasi një kompani gjermane ofroi një shumë rreth tri herë më të madhe se shifra e shitjes së kompanisë së telefonisë fikse, "Albtelekom", bashkë me licensën e telefonisë së lëvizshme.
Nuk u mor parasysh oferta prej 300 milionë eurosh
TIRANË- Njësia e task-forcës së prokurorisë së Tiranës, ka konstatuar shkelje në shitjen e Albtelekomit, që nga mënyra e përpilimit të dokumenteve për tender e deri te shpallja e fituesit, që merrte pjesë i vetëm në këtë tender. "Ditën e zhvillimit të tenderit, shoqëria turke ka qenë e vetme që ka konkurruar duke ofruar një shumë prej 120 milionë euro për blerjen e aksioneve të Albtelekomit. Kjo ofertë është pranuar dhe ofertuesi është shpallur fitues. Kjo mënyrë e zhvillimit, është cilësuar abuzive, pasi nuk mund të kryhet një privatizim kur ofertues është vetëm një subjekt",-thuhet nga akuza, duke cilësuar rastin e shit-blerjes së Albtelekomit si rast abuziv. Sipas akuzës, fillimisht kanë qenë tre firma në garë, por kanë hequr dorë në momentet e fundit të zhvillimit të tenderit, duke lënë në garë vetëm një subjekt. Kjo firmë e mbetur në garë, sipas prokurorisë, ka bërë ofertën në momentin e fundit dhe dokumentacioni i paraqitur ka qenë i pa plotë. Por, komisioni i vlerësimit, në vend që të shpallte të pavlefshëm tenderin, e ka pranuar ofertën duk e shpallur firmën fituese të rregullt me 120 milionë euro.