Berat, pranga adoleshentëve, vodhën ëmbëlsira
BERAT- Tre adoleshentë nga qyteti i Beratit kanë shfrytëzuar orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës për të vjedhur me thyerje një dyqan ëmbëlsirash, në zemër të qytetit, pranë shkollës "Babë Dudë Karbunara". Kanë qenë agjentët e antikrimit që pas sinjalizimit të marrë nga pronari i dyqanit kanë identifikuar e më pas ndaluar tre adoleshentët, të cilët ndodhen në dhomat e paraburgimit në Komisariatin e Policisë Berat. Ngjarja është konstatuar mëngjesin e djeshëm nga vetë pronari i lokalit V.K, i cili tregton ëmbëlsira dhe cigare të llojeve të ndryshme. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ekspertët e policisë kanë konstatuar se dyqani është vjedhur me anë të thyerjes dhe se adoleshentët kanë hyrë në ambientet e brendshme dhe kanë nxjerrë prej andej disa paketa cigaresh dhe lloje të ndryshme ëmbëlsirash. Vjedhësit janë17-vjeçarë. Pas plotësimit të dosjes hetimore, për shkak të moshës së tyre nën 18 vjeç, materialet i kaluan prokurorisë së Vlorës.
----------------------------------------------------------------------------------------
Aksident i rëndë, plagosen dy të rinj nga Fieri
FIERI - Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur dje në aksin rrugor Fier-Patos. Një mjet tip "Pezho" është përplasur me një mjet të tonazhit të rëndë. Sipas policisë rrugore, nga ky aksident kanë mbetur të plagosur rëndë dy të rinjtë Arsen Merko nga Fieri dhe Ardit Grëmi nga fshati Sheqishtë i rrethit të Fierit. Mjeti tip "Pezho" me targa FR 9671C që drejtohej nga Merko lëvizte nga qyteti i Fierit drejt Patosit. Pikërisht shumë afër komisariatit të policisë Fier, si rezultat i shpejtësisë, drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin dhe është përplasur me mjetin që drejtohej nga Faslli Dushku, i cili lëvizte në drejtim të Fierit. Përplasja ka qenë shumë e fortë. Ajo ka shkaktuar plagosjen e dy të rinjve edhe dëmtime të rënda në të dy mjetet. Të plagosurit janë çuar në spitalin e Fierit. Ata i janë nënshtruar operacionit dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, përplasja e mjeteve ka krijuar probleme në qarkullimin rrugor, pasi për rreth një orë rruga ka mbetur e bllokuar.