Gjytarët Apel për ligjin Konferencës Gjyqësore
REZOLUTA
Mosfunksionimi i këtij institucioni, ka bllokuar zëvendësimin e 4 vendeve vakant në KLD
TIRANË- Kryetarët e Gjykatave të Shkallës së Parë, të Apelit dhe të Gjykatës së Lartë, bashkë me drejtuesit e Shoqatave të Gjyqtarëve publikuan një rezolutë të përbashkët lidhur me organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Me anë të saj, drejtuesit e këtyre institucioneve gjyqësore i bënë apel krerëve të ekzekutivit dhe legjislativit që të punojnë për hartimin dhe miratimin sa më shpejt të ligjit "Për organizimin dhe funksionimin Konferencës Gjyqësore". Kjo duhet të zgjedhë katër anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të plotësuar vendet vakant të krijuara në këtë Institucion pas mbarimit të mandatit të katër prej tyre. Sipas rezolutës së drejtuar Presidentit Bamir Topi, Kuvendit të Republikës, Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Drejtësisë, krerët e gjyqësorit në vend kërkuan nga institucionet më të larta të shtetit të punojnë në hartimin e një ligji për funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Ajo qëndron e bllokuar që nga dhjetori i vitit të kaluar për shkak të problemit ligjor. Sipas kësaj rezolute, saktësohet se që pas vendimit të 26 dhjetorit 2008, kur Gjykata Kushtetuese e cilësoi antikushtetues ligjin e miratuar në maj të 2005 për "Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare" zhvillimi i kësaj konference është bllokuar. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, sipas kësaj rezolute, është cilësuar si një hap përpara Kushtetueshmërisht në drejtim të pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse në këtë konferencë për përzgjedhjen e katër anëtarëve të KLD-së. Ndërkohë, sipas ligjit të vjetër të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetues, në votimin për anëtarët e KLD-së nuk merrnin pjesë të gjithë gjyqtarët e Gjykatave në vend, por vetëm një përfaqësi e tyre e caktuar nga vetë gjykatat sipas qarqeve në vend. Por, me shfuqizimin e vendimit, në këtë konferencë gjyqësore duhet të marrin pjesë të gjithë gjyqtarët në vend, për të dhënë secili në mënyrë individuale votën e tij për gjyqtarin që do të zgjidhen si anëtarë pranë KLD-së. "Realizimi i një ligji për funksionimin dhe organizimin e KFGJ-së, kërkon bashkëpunim, përkushtim, vullnet të mirë të institucioneve kompetente të të tre Pushteteve: Gjyqësor, Ekzekutiv dhe Legjislativ dhe për të arritur këtë kërkojmë nga ju të ushtroni autoritetin tuaj dhe të hartoni dhe miratoni, brenda një kohe sa më të shpejtë të jetë e mundur, ligjin për organizimin dhe funksionimin e KGJK-së"-thuhet në rezolutën drejtuar krerëve më të lartë të shtetit, duke i njoftuar se trupat gjyqësore janë të gatshëm dhe të përkushtuar për të ndihmuar dhe për të kontribuar në procesin e ligj bërjes.