Librazhd, shirat shkaktojnë shembje të dheut
Reshjet/ Masivi i dheut bllokoi aksin rrugor duke rrezikuar jetën e 50 pasagjerëve të një autobusi
LIBRAZHD - Reshjet e rëna gjatë ditës së mërkurë dhe gjatë gjithë natës shkaktuan shembjen e një masivi shkëmbinjsh mbi 300 metra kub në vendin e quajtur Murrash, duke bllokuar për rreth një orë e gjysmë aksin rrugor Librazhd - Elbasan.
Shembja ndodhi rreth orës 18:40 të së mërkurës, por mjetet e rënda me ndërhyrjen e policisë bënë të mundur hapjen e rrugës me një korsi.
Nga firma që merret me mirëmbajtjen e rrugës u punua deri në orën 01:30 të së hënës duke bërë të mundur pastrimin e këtij aksi i cili vazhdon të jetë problematik dhe ku në shumë raste ka pasur edhe dëmtime të automjeteve. Për mrekulli kanë shpëtuar edhe disa mjete gjatë natës, pasi shembja ka qenë e menjëhershme.
Mitat Biçaku, shofer i një autobusi, i cili u bllokua pas shembjes u shpreh për "Shekulli"-n: "Isha duke kaluar mbrëmë vonë kur po shkëputej masivi i shkëmbinjve dhe u tremba, mbasi e kisha autobusin plot me pasagjerë. Masivi i dheut mund ta mbulonte autobusin komplet dhe 50 vetë mund të kishin përfunduar poshtë shkëmbinjve me gjithë automjet".
Ndërkohë, nga ana e drejtorit të mirëmbajtjes së rrugëve, Servet Nogut, bëhet e ditur se për të normalizuar këtë aks duhen të nxirren fonde për t'u vendosur rrjetat mbajtëse, pasi firma që punoi në të kur u rehabilitua rruga, nuk e zbatoi projektin deri në fund.
Nogu thotë se është kërkuar që të miratohet një fond shtesë, sepse ky aks është tepër i vështirë, dhe po nuk u vendosën rrjetat mbajtëse të gurëve, nuk mund të bëhet asgjë.