E Shtunë, 31 Tetor 2026

Llogoraja gdhihet e bllokuar nga dëbora

Moti/ Bora e rënë gjatë natës dhe pakujdesia e firmave të rrugëve ka çuar në bllokimin e aksit rrugor


Drejtori i rrugëve në Vlorë u shpreh se do të merren masa ndëshkuese për moshedhjen e skorjeve në rrugë

VLORË - Prej orëve të natës së të mërkurës reshjet e dëborës bllokuan aksin rrugor të Llogorasë, i cili lidh rrugën nacionale Vlorë-Sarandë.


Kështu, mëngjesi i djeshëm bëri që edhe vetë drejtori i drejtorisë së rrugëve në Vlorë, Saimir Haxhiu, të reagojë duke ngritur akuza për firmat që merren me mirëmbajtjen e rrugëve.


"Firmat që kanë kontraktuar për mirëmbajtjen e rrugëve duhet të kishin ndërhyrë më shpejt! - ishte reagimi i parë i Haxhiut. Sipas tij, për këtë nuk do të kalohej pa penalitete, çka nënkupton edhe ndëshkimin në formë gjobash.


Gjithsesi, paraditja e gjeti aksin të mbuluar me borë dhe në gjithë gjatësisë së saj vijoi puna për heqjen e borës, si dhe hedhjen e skorjeve.


Pikërisht hedhja e skorjeve mundësoi kalimin në disa pika përgjatë aksit, për të evituar rrëshqitjet. Drejtori Haxhiu u shpreh se pas orës 12:00, i gjithë aksi ishte i kalueshëm. Ai tërhoqi vëmendjen për firmën që kishte marrë përsipër zhbllokimin, ndërkohë që tha se edhe vetë drejtuesit e automjeteve duhet të tregoheshin më të kujdesshëm. "Edhe pse tabelat kujtojnë lëvizjen e automjeteve me zinxhirë, drejtuesit e automjeteve nuk i përdorin ato, çka mund të sjellë rrezik në qarkullimin e tyre. Në këtë drejtim, - tha ai, - efektivët e qarkullimit duhet të tregohen më të kujdesshëm".

Por fatmirësisht dje nuk janë shënuar incidente përgjatë aksit, ndërkohë që kanë qenë të shumta automjetet që nuk i janë drejtuar aksit për shkak të dëborës. Trashësia e dëborës në orët e paradites në qafën e Llogorasë ka kapur shifrën e 20 centimetrave. Vetë aksi i Llogorasë njihet si problematik në zonën e dimrit, sidomos kur ka reshje dëbore apo ngrica. "Ne masat i marrim prej muajit nëntor, - u shpreh drejtori Haxhiu, - por për këtë vit, kjo është hera e parë që reshjet e dëborës krijojnë problematika në këtë aks. Janë ngricat ato që shumë herë ndikojnë në rritjen e vëmendjes së drejtuesve të automjeteve, fenomen i cili cilësohet i rrezikshëm për automjetet dhe për evitimin e tyre, shpesh rrugës i hidhet kripë dhe skorje. Prej disa kohësh mirëmbajtja e këtyre akseve u është besuar firmave nënkontraktore, të cilat duhet të jenë prezente kur ka bllokime të tilla, për të mos krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve". Qarkullimi i automjeteve pas hedhjes së skorjeve në këtë aks rrugor ka vijuar normalisht.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›