Aksidentet, dy të vdekur dje në Tiranë e Kavajë
TIRANE - Dy persona gjetën vdekjen dje brenda ditës, në dy aksidente në Tiranë dhe Kavajë. Një kalimtar i moshuar mbeti i vdekur në vend te rruga e Durrësit, në kryeqytet kur po kalonte nga njëri krah i rrugës në tjetrin, ndërsa një shofer 47 vjeç, ka humbur jetën kur makina që drejtonte përfundoi në një përrua, në Kavajë. Aksidenti i parë ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në Tiranë, rreth orës 22:30. Viktima është 73-vjeçari Zenun Koka, banues në Sauk. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes te rr. e Durrësit, duke shoqëruar drejtuesen e mjetit tip "Ford", me targë TR 1775 P, 23-vjeçaren Sonila Kalaja, e cila po tentonte t'i jepte ndihmën e parë personit që kishte përplasur me makinë. Një ambulancë nga Spitali Ushtarak ka shkuar në vendin e ngjarjes, por ndërhyrja mjekësore ka qenë e panevojshme për të moshuarin Koka, pasi ai kishte ndërruar jetë. Burime nga policia thanë se 23-vjeçarja Sonila Kalaja është arrestuar nga specialistët e Seksionit të Hetimit të Aksidenteve Automobilistike, me akuzën e "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor". Aksidenti i dytë, ku humbi jetën 47-vjeçari Xhamit Zeka, ndodhi paraditen e djeshme në fshatin Rikaj, të Komunës Synej, në Kavajë. Aksidenti i rëndë ka ndodhur në kohën kur viktima, Xhamit Zeka, i cili udhëtonte me një fuoristradë, ka humbur drejtimin e mjetit në urën e fshatit Rikaj, të Komunës Synej. Sipas dëshmitarëve, të cilët janë marrë në pyetje nga policia, aksidenti ka ndodhur në momentin kur automjeti, pasi ka humbur kontrollin, ka përfunduar në rrjedhën e përroit që kalonte poshtë urës së fshatit. Përplasja e fortë në gurët e përroit i ka shkaktuar vdekjen drejtuesit të makinës Xhamit Zeka, ndërsa edhe makina është shkatërruar plotësisht. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe më pas polumbarët kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë nga uji, duke e dërguar në morgun e qytetit të Durrësit. Sipas policisë, shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara dhe humbja e kontrollit. Me gjithë masat e marra nga Policia Rrugore dhe ajo e Rendit për parandalimin e aksidenteve automobilistike, duket se ende duhet punë për sensibilizimin e drejtuesve të mjeteve, në mënyrë që të mos shkelen rregullat e qarkullimit rrugor. Veç dy aksidenteve me vdekje, gjatë ditës së djeshme në Tiranë janë shënuar edhe dy aksidente të tjera, por pa pasoja, vetëm me dëme materiale. e.d