Atentati te "Ali Demi", akuza: Autori u pagua
Armand Bajrami
Prokuroria e Tiranës i kërkoi dje gjykatës, dënimin me 21 vjet burg për Elvis Gurrën, i akuzuar për vrasje të dyfishtë, e mbetur në tentativë. Organi kryeqytetas i akuzës kërkoi cilësimin "fajtor" të personit të dyshuar Elvis Gurra, i akuzuar si autor i ngjarjes së 17 majit 2008, në lagjen "Ali Demi" në Tiranë, ku u plagosën Roland Domi dhe çlirim Gorozhjani. Pas 17 seancash shqyrtimi gjyqësor Prokuroria paraqiti dje konkluzionet përfundimtare në lidhje me akuzat ndaj Gurrës. Për organin e akuzës rezulton e provuar se i pandehuri Elvis Gurra është personi që ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Roland Domit dhe çlirim Grozhnjanit, me qëllim vrasjen e tyre. Referuar provave të administruara në proces, sipas Prokurorisë, është provuar se Gurra ishte paguar për atentatin. "I pandehuri i ka pohuar dëshmitarit, që ishte paguar pjesërisht dhe se pjesën tjetër të parave do ta merrte pasi të kishte kryer vrasjen", citoi prokurori në deklarimin e një prej dëshmitarëve të procesit. Ndërsa është zbardhur ngjarja e atentatit të dy emigrantëve, Prokuroria nuk kishte vërtetuar urdhëruesin e tij. Për akuzën e "vrasjes në rrethana cilësuese mbetur në tentativë" Prokuroria kërkoi dënimin e Gurrës me 20 vjet burg. Për akuzën e "mbajtjes pa leje të armëve luftarake" i "faturoi" atij 3 vjet burg. Në bashkim të dënimeve, përfundimisht Prokuroria kërkoi deklarimin "fajtor" të të pandehurit Elvis Gurra për veprat penale që akuzohej dhe dënimin e tij me 21 vjet heqje lirie.
NGJARJA
Ngjarja, për të cilën akuzohet i pandehuri Gurra, ka ndodhur në lagjen "Ali Demi" në oborrin e një lokali të njohur në këtë zonë, në muajin maj 2008. Roland Domi dhe çlirim Gorozhnjani kanë qenë duke hipur në një automjet tip "Mercedes benz", kur para tyre është shfaqur një person i cili ka qëlluar me armë drejt tyre. Pas të shtënave me armë, atentatori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Nga breshëritë e plumbave, Roland Domi dhe çlimim Gorozhnjani kanë marrë vetëm plagë në trup, që nuk u kanë rrezikuar jetën. "Referuar akteve të ekspertimit mjekësor Roland Domi është dëmtuar nga pesë qitje arme zjarri, ndërsa i dëmtuari tjetër me dy qitje arme", thuhet në pretencën e Prokurorisë. Dy të lënduarit e ngjarjes ishin emigrantë dhe kishin qëndruar për një kohë të konsiderueshme në Gjermani dhe Itali. Gurra u arrestua rreth tetë muaj pas ngjarjes. Që në momentin e arrestimit të tij dhe gjatë shqyrtimit të dosjes së tij në gjykatë, për asnjë moment ai nuk ka pranuar autorësinë e ngjarjes.
Ngjarja
Elvis Gurra
I pandehur për "vrasje në rrethana cilësuese, mbetur në tentativë"
Pretenca
e kërkuar nga prokuroria, 21 vjet burg
Të plagosurit
Roland Domi
çlirim Gorozhjani