Nishani: Regjistri i pronave, së shpejti do të dixhitalizohet
TIRANE - Ministria e Drejtësisë paralajmëron dixhitalizimin e regji-strimit të pasurive të paluajtshme. Sipas drejtuesit të këtij institucioni, ministrit Bujar Nishani, dixhitalizimi i këtij shërbimi është shpëtimi i vetëm nga korrupsioni në këtë sektor. Deklarata u bë dje, pas një takimi që ministri Nishani pati me homologun e tij të Republikës së Estonisë, Rein Lang. Në një takim mes tyre në Ministrinë e Drejtësisë, të dy ministrat ranë dakord të ngrenë një strukture bashkëpunimi "Taks Force" mes ministrive të dy vendeve, me qëllim forcimin e bashkëpunimi në fushën e sistemit teknologjik dhe shkëmbimit të informacioneve në fushën e regjistrimit të pasurive. "Konkluduam për ngritjen e një Task Force, për marrjen e përvojës nga Estonia, në mënyrë që ato t'i implementojmë si hapa të rëndësishëm që do të lehtësojnë shërbimin ndaj qytetarit, do të ngushtojnë hapësirën për korrupsion, si dhe do t'i japin një stad të rëndësishëm punonjësit të administratës publike", u shpreh për mediat ministri Nishani, pas takimit me homologun e tij estonez. Sipas tij, në takimin mes homologëve u diskutua edhe për sistemin penitenciar, ku Estonia është model për standardet e larta të respektimit të të drejtave të njeriut. Ministri estonez i Drejtësisë, Rein Lang, vlerësoi në fjalën e tij para mediave arritjet e Shqipërisë në sektorin ekonomik dhe atë të legjislacionit për përafrimin e saj me standardet e BE-së. Lang shprehu vullnetin e Qeverisë së vendit të tij për mbështetjen e Qeverisë Shqiptare në proceset integruese të vendit. "Me Ndryshimet e mëdha të bëra në ekonomi dhe kuadrin ligjor, Qeveria estoneze është shumë mbështetëse për Qeverinë shqiptare, duke përfshirë edhe procesin për liberalizimin e vizave dhe hyrjen në BE. Ne ramë dakord për ngritjen e një Task Force, për bashkëpunim në përfitimin e përvojës estoneze, për teknologjinë e informacionit në fushën e regjistrimit të pasurive dhe bizneseve. Ne shpre-sojmë që në të ardhmen do bashkëpunojmë në këtë drejtim", u shpreh Lang. ar.ba