Aksidentet, dy të vdekur e katër të plagosur
Katër aksidente të rënda, dy prej të cilëve me pasojë vdekjen, kanë ndodhur brenda harkut kohor të 48 orëve në Peqin, Gramsh, Lushnjë dhe Memaliaj. Një aksident me pasojë vdekjen e një 27-vjeçari ka ndodhur në orët e vona të së dielës në Rrethin e Peqinit. Burime të policisë lokale bëjnë të ditur se rreth orës 21:30 të së dielës, Lorenc Gjoni është aksidentuar për vdekje nga shtetasi maqedonas, Bashko Gerasimov. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia, si edhe grupi hetimor, të cilët kanë konstatuar se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e mjetit që drejtonte maqedonasi. Ky i fundit është shoqëruar për në Komisariatin e policisë Peqin, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërkohë, në të njëjtën orë, në hyrje të qytetit të Gramshit, një autoveturë me targa GR1239B, që drejtohej nga 41- vjeçari Nefail Kllogjëri, ka përplasur fëmijën 7-vjeç me inicialet D.F., nga ky qytet. Fëmija, pas ndihmës së parë në spitalin e qytetit, është dërguar për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Ndaj autorit ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë. Ndërkohë, rreth orës 18:40 të së dielës, në dalje të qytetit të Memaliajit, një makinë tip "Benz" ka dalë nga rruga dhe është përmbysur. Për pasojë, 24-vjeçari Aleksandër Mihasi, nga fshati Izvor i Tepelenës, ka vdekur dy orë pasi ka mbërritur në spitalin e Gjirokastrës. Ndërkohë, dy shokët e tij, Resul Dervishi, 27 vjeç dhe Elton Sinani 24 vjeç, kanë mbetur të plagosur rëndë, por tashmë ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se shkak i aksidentit është bërë shpejtësia mbi normat e lejuara. Pasditen e së hënës, në aksin rrugor Lushnjë-Fier është aksidentuar 70-vjeçarja Mejete Tusha, e cila ka qenë duke udhëtuar me të birin, kur janë përplasur me një traktor. E moshuara ka pësuar dëmtime në trup e kokë, por është jashtë rrezikut për jetën, në spitalin e qytetit të Lushnjës.