Trafiku i drogës, dënohet me 11 vjet burg greku i kapur në Shqipëri
Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar dje me 11 vjet burg, një emigrant nga Kazakistan, i cili jetonte prej vitesh në Greqi për trafik të lëndëve narkotike. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, 47-vjeçari Aleksandros Dhentinidhis, ka kërkuar pafajësi para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Gurali Brahimllari, duke pretenduar se sasia prej 14 kilogramësh lënde narkotike nuk ishte e tija. Dy seanca më parë, prokurori i çështjes i kërkoi gjykatës, shpalljen fajtor dhe dënimin me 9 vjet burg për të pandehurin. Ngjarja për të cilën akuzohet i pandehuri 47-vjeçar ka ndodhur më 7 prill të vitit 2008. Emigranti nga Kazakistani është ndaluar në kufirin shqiptaro-grek të Kakavijës, ndërsa transportonte një sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike drejt territorit grek. Dhentinidhis është ndaluar nga uniformat blu të Kakavijës në momentin që me automjetin e tij tip "Toyota", me targa IHP 8033, po transportonte në drejtim të shtetit grek sasinë e lëndës narkotike. Pas një kontrolli, agjentët, me ndihmën e qenit të antidrogës kanë gjetur në pjesën e brendshme të tapicerisë së automjetit sasinë prej 7 kilogramësh heroinë dhe 7 kilogramësh hashash. Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda i pandehuri, një ditë përpara se të vihej në pranga ishte nisur nga Tirana, në drejtim të shtetit fqinj, Greqisë, vend në të cilën jetonte prej disa vitesh. Mësohet se Dhentinidhis kishte hyrë në shtetin shqiptar më 4 prill 2008 nëpërmjet doganës së Kakavijës. Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ka rezultuar se i pandehuri ka qenë i skeduar dhe më parë për veprën penale të "trafikut të lëndëve narkotike". Sipas të dhënave të marra ka rezultuar se Dhentinidhis ka qenë i dënuar në Greqi me 7 vjet burg për implikim të tij në rrjetet e trafikut të transportit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Ndërkohë që Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Dhentinidhis për veprën penale të "trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike". 47-vjeçari do të vuajë dënimin e tij në një burg të sigurisë së zakonshme.