E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet testi me shkrim për shkollën e policisë

Përfundojnë testimet me shkrim për shkollën e policisë, duke u zgjedhur edhe 41 fituesit e fundit. Sipas Policisë së Shtetit, në ambientet e universitetit "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan, dje u zhvillua testimi me shkrim i kandidatëve nga qarqet Elbasan dhe Korçë, që kanë aplikuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për "Patrullë të Përgjithshme". Këtij testimi iu nënshtruan 100 aplikantë nga këto qarqe dhe në përfundim të konkurrimit të ditës së djeshme u shpallën fitues të testimit me shkrim 41 aplikantë, të cilët arritën të grumbullonin mbi 60 pikë. Korrigjimi i testimit u realizua me skaner dhe kandidatët u njohën me rezultatin brenda ditës. Kandidatët e shpallur fitues të testimit me shkrim do t‘i nënshtrohen fazave të mëtejshme të konkurrimit. Aplikantët, që rezultuan fitues të testimit me shkrim të zhvilluar dje, do t‘i nënshtrohen testimit fizik sot, në orën 08:00, në stadiumin e qytetit të Elbasanit. Aplikantët duhet të paraqiten ditën dhe orën e përcaktuar për testimin fizik të veshur me uniformë sportive. Të gjithë aplikantët, për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces, mund të drejtohen pranë Zyrave të Personelit në Drejtoritë e Policisë në Qarqe ose pranë Sektorit të Pranimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Po ashtu mund t‘i parashtrojnë pyetjet apo shqetësimet e tyre dhe me e-mail në adresën shkollaepolicise@mrp.gov.al. Për të gjithë të interesuarit, policia bën me dije se procesi i aplikimeve për të ndjekur studimet pranë Shkollës së Policisë është i hapur gjatë gjithë vitit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›