E Shtunë, 31 Tetor 2026

E "mbysin" borxhet, pranga biznesmenit të mermerit

Një biznesmen i shpallur në kërkim që në muajin shkurt të këtij viti ka përfunduar në prangat e policisë kryeqytetase. Ai është dënuar nga drejtësia për mashtrim në shuma të mëdha, pasi dyshohet se i ka marrë një personi rreth 50 mijë euro dhe nuk ia ka kthyer më. Biznesmeni merrej me import mermeri dhe gjithë historia e tij ka nisur në vitin 2002, kur i kanë bllokuar një maune në Itali. Policia shpjegoi se bëhet fjalë për Kristaq Totën, 48 vjeç, i cili u prangos dy net më parë, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me dy vjet burg për mashtrim.
Nga dosja hetimore rezultoi se më 24 janar të vitit 2008, Luan Nanaj është paraqitur në Policinë e Tiranës, ku ka depozituar një kallëzim penal kundër Kristaq Totës, duke e akuzuar për moskthimin e një shume të madhe parash. Në kallëzimin e tij, i dëmtuari tregon se Tota ka qenë një i njohuri i vjetër i tij. Gjatë një takimi mes tyre, në fillim të vitit 2002, Kristaqi i ka thënë dëshmitarit, Luanit, se merrej me biznes, me tregtimin e mermerit nga jashtë shtetit në Shqipëri. Gjatë këtij takimi, i arrestuari i ka treguar se autoritetet doganore italiane i kishin bllokuar një trailer me mall, duke i lënë të kuptonte atij se i duhej një sasi parash për të zgjidhur çështjen. I dëmtuari, nisur nga njohjet e vjetra, i kishte huazuar 48-vjeçarit një shumë prej 2 milionë e 200 mijë lekësh. Për këtë arsye, më 1 qershor 2002, Luan Nanaj dhe Kristaq Tota lidhën një kontratë huaje, përpara noteres Merita Prifti. Sipas kësaj kontrate, afati i kthimit të shumës së dhënë hua do të ishte data 31 dhjetor e atij viti. Në rast të kundërt, i dëmtuari kishte të drejtë të bëhej pronar i së gjithë pasurisë së luajtshme në zotërim të Totës.
Disa kohë më vonë, gjithmonë brenda afatit përfundimtar, Luani është takuar sërish me Kristaqin, i cili i ka kërkuar hua edhe 3 milionë lekë të tjera, duke i shpjeguar se këtë shumë do ta përdorte për të siguruar një treg fitimprurës për shitjen e mermerit. Ai i premtoi të dëmtuarit se këtë shumë do t‘ia kthente së bashku me shumën e parave të marra më parë. I bindur për seriozitetin e Kristaqit, i dëmtuari i ka dhënë sërish atij shumën e kërkuar. Por, pas kalimit të afatit, i dëmtuari është takuar disa herë me Kristaqin, i cili gjithmonë e siguronte se do t‘ia kthente paratë e marra hua, duke ia shtyrë afatin e kthimit të shumës. Për të rritur garancitë në kthimin e kësaj shume, i dëmtuari dhe i pandehuri kanë nënshkruar një kontratë tjetër huaje, duke përcaktuar se Kristaq Tota detyrohej që shumën prej 5 milionë e 200 mijë lekësh duhet t‘ia kthente Luan Nanajt brenda datës 10 qershor 2003. Në rast të kundërt, të gjitha pronat e Kristaq Totës do të kalonin në pronësi të Luan Nanajt.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky afat kaloi dhe Tota nuk respektoi detyrimin e marrë përsipër në kontratën e huasë. Në këto kushte, Luan Nanaj është përpjekur të kontaktojë me Kristaq Totën, por nuk ka arritur, pasi ai i fshihej. Ky fakt rezulton qartë nga përmbajtja e mesazheve që Tota i ka dërguar të dëmtuarit, nëpërmjet numrit të telefonit celular. Për pasojë, Luan Nanaj i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, duke paditur Kristaq Totën për përmbushjen e detyrimit kontraktor dhe kthimin e shumës së parave. Me vendimin e datës 18 maj 2004 ka vendosur sigurimin e padisë, duke urdhëruar vendosjen e sekuestros mbi një pasuri të paluajtshme, sipërfaqe toke, në Kashar, Tiranë, për pjesën e të paditurit Kristaq Tota. Në këto kushte, Tota nuk ka mundur të kthejë paratë dhe në shkurt të këtij viti, Gjykata e Tiranës e ka dënuar me dy vjet heqje lirie, ndërkohë që mund të humbasë edhe biznesin e tij. Nga ana tjetër, ai është arrestuar rastësisht nga policia, pasi nuk rezultonte më me banim në adresën e dhënë. Policia ka kontrolluar disa herë banesën e tij, por e kishte dhënë me qira. Derisa dy net më parë u arrit gjetja dhe arrestimi i tij.

Precedenti

Para të pashlyera edhe
ndaj ish-truprojës së vet

Veç kallëzimit të Nanajt, Tota dyshohet se i ka para borxh edhe ish-truprojës së tij, të cilit i ka blerë një sipërfaqe toke dhe ende nuk e ka shlyer në para. Fakti ka dalë në dritë gjatë gjyqit ndaj Totës. Aty Xhevdet Sulaj dëshmoi se ai ka qenë për një kohë të gjatë në rolin e shoferit dhe të truprojës së Kristaq Totës. Dëshmitari dëshmoi se është njohur me të pandehurin rreth vitit 2002 ose 2003, kur ka shkuar për të blerë një sipërfaqe toke, pronë e familjes së Xhevdetit, tek Ura e Limuthit, në Tiranë. Ai ka arritur të blejë nga ky dëshmitar një sipërfaqe toke prej 2000 metër katrorësh, vlerën e së cilës nuk e ka shlyer të gjithën edhe sot e kësaj dite. Në atë kohë, Xhevdet Sulaj dëshmoi se nuk ka qenë i pranishëm, kur Tota i ka marrë lekët hua të dëmtuarit, por ka qenë vetë Tota që i ka thënë se i kishte Luan Nanaj një shumë lekësh borxh. Duke qenë se Kristaqi nuk i kishte shlyer të gjithë vlerën e sipërfaqes së tokës që bleu nga Xhevdeti, ky i fundit i ka ndërprerë marrëdhëniet me të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›