Shoferi i autobusit: Ja si e morën zvarrë policin
Procesi në ngarkim të "mjeshtrit të arratisjeve", Ilir Pajës, ka vazhduar dje me dëgjimin e dëshmitarëve të akuzës. Rrahmkan Demiraj, shofer në linjën e autobusëve të Unazës, ka treguar dje momente të përplasjes së Pajës me autobusin dhe më pas me motorin, në të cilën ndodhej punonjësi i policisë. "U futa në stacionin e urbanit, pranë Farmacisë numër 10. Në ato momente po zbrisnin e po hipnin njerëz. Kam dëgjuar të shtënë. Më vonë një makinë u përplas tek fundi i autobusit. Të gjithë pasagjerët që ishin brenda nisën të ulërinin", ka nisur të tregojë dëshmitari. Më tej, ai ka sqaruar se automjeti pas përplasjes ka devijuar nga rruga. Shoferi i kësaj makine kishte ecur mbrapsht dhe kishte shtypur një njeri me motor, të cilën më pas e kishte marrë zvarrë. Ngjarja për të cilën akuzohet Paja ka ndodhur më datën 6 mars të vitit 2008 rreth orës 10:00, kur punonjësit e policisë Bledi Haxhimali dhe Roland Mete, me detyrë agjent në njësinë e operacioneve speciale në Drejtorinë e Policisë Tiranë kanë qenë me shërbim në vendin përballë maternitetit "Koço Glozheni" Tiranë. Aty, rastësisht, agjenti Bledi Haxhimali ka parë një person që po lëvizte me një automjet të markës "Fiat Punto" me targa BC 983 DP, me ngjyrë gri dhe që ngjasonte shumë me personin në kërkim, Ilir Paja. Pas ndjekjes me motor, efektivi Bledi Haxhimali është tërhequr zvarrë nga i pandehuri duke pësuar dëmtime.