E Diel, 1 Nëntor 2026

Misteri i fluturimit LV226, “peng” i pilotëve apo defekt

Janë nisur për në Bolonja, por avioni dyshohet se është marrë “peng” nga pilotët e papaguar dhe ka bërë ulje të detyruar në Sllovaki. 110 pasagjerët e fluturimit “LV 226” të “Albania Airlines” u gjendën dje papritur në situatë të papëlqyer dhe mjaft kilometra larg destinacionit, pasi siç thonë ata, pilotët e linjës të pakënaqur ngaqë nuk janë paguar, janë rebeluar duke ndryshuar udhëtimin. Ndërkohë që vetë kompania mohon faktin se devijimi është bërë për shkak të pagesave të prapambetura, por deklaron se shkak i ndryshimit është bërë një defekt në motor, ndërsa burime të tjera flasin për një mosmarrëveshje me kompaninë sllovake nga ishte marrë me qira avioni. “Albanian Airlines” pohon se një avion është nisur për në Bratislavë për të dërguar pasagjerët më në fund në destinacion.
Ngjarja
Pasagjerët e avionit që duhej të shkonte nga Tirana në Bolonja e kanë parë vetën “të marrë peng”, edhe pse pengmarrësit ishin vetë pilotët e avionit. Të alarmuar nga fakti që nuk po uleshin në Bolonja në orën 18:00 ashtu siç edhe ishte programuar ata kanë lajmëruar të afërmit e tyre, ndërsa në telefon kanë thënë se arsyeja që nuk po uleshin në qytetin italian nuk u ishte komunikuar dhe u ishte thënë se kishte një defekt. Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit në një njoftim për shtyp bën me dije se avioni ishte nisur normalisht nga Rinasi. “Është nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza”, në orën 16:31 sipas orës lokale dhe është ulur ne aeroportin e Bratislavës – Republika Sllovake”, - thuhet në njoftim. Ministria sqaron se “deri në momentin e daljes nga hapësira ajrore e Republikës së Shqipërisë, avioni ka fluturuar sipas planit të aprovuar të fluturimit nga autoritetet shqiptare me destinacion Bolonjën”. Pasagjerët kanë pohuar se përndryshe nga sa ishte parashikuar ata si kanë qëndruar njëfarë kohe pezull në Bolonja janë kthyer dhe janë ulur në aeroportin sllovak të Bratislavës. I gjithë udhëtimi që nuk duhej të zgjaste më shumë se një orë e gjysmë është kthyer në një tre orësh ankthi. Pasagjerët në fakt duket se kanë qenë të lumtur që më në fund kanë bërë ulje të detyruar në Bratislavë, edhe pse kjo ndodhet mjaft kilometra larg destinacionit fillestar.
Shpjegimet
Për pasagjerët arsyet e “pengmarrjes” kanë qenë pagesat e vonuara, që siç thonë ata, ua kanë lajmëruar këtë gjë. Ndërsa kompania ka dhënë version tjetër sa i përket arsyes së devijimit. “Albanian Airlines” ka njoftuar se pilotët ishin paguar rregullisht dhe ndryshimi i destinacionit ishte pasojë e një defekti, por pa shpjeguar se përse avioni me defekt nuk ishte ulur në pistën më të afërt atë të Bolonjës, por në Bratislavë, duke qëndruar në ajër për një kohë më të gjatë sesa fluturimi i parashikuar. Ndërkohë burime nga kjo kompani kanë folur edhe pse jo zyrtarisht për mosmarrëveshje me kompaninë “Air Slovakia”, nga edhe është marrë me qira avioni. Ministria e Transportit dhe e Telekomunikacionit ka konfirmuar faktin se avioni ishte marrë me qira nga një kompani sllovake dhe se autoriteti përgjegjës për të janë ato sllovake. Ndërkohë ministria ka njoftuar fillimin e verifikimeve mbi këtë fluturim. “DPAC (Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil) ka ngritur grupin e punës dhe po verifikon ngjarjen”, - thuhet në njoftimin e ministrisë, sipas të cilës, avioni është në pronësi të kompanisë sllovake “Air Slovakia”. Ndërkohë qoftë ministria, qoftë kompania, kanë konfirmuar faktin se një avion tjetër është nisur për në Bratislavë dhe do të kryejë transportin e të 110 pasagjerëve për në destinacion. Këta të fundit janë akomoduar në aeroport dhe Ministria e Jashtme konfirmoi se ka dërguar njerëz që të kujdesen për ta deri në mbërritjen e avionit që do t’i dërgojë në Bolonja.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›