E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reçaku me kompleks

Aktualisht në projektin e kompleksit memorial të Reçakut janë investuar mbi 1 milion e 500 mijë euro, duke përfshirë rrugën “Xhoni Uoker”, trotuaret, ndriçimin dhe kompleksin e varrezave. Rregullimi i këtij kompleksi kushtuar viktimave të rëna nga dora gjakatare serbe, do të vazhdojë edhe përgjatë këtij viti, ku sipas Ismajlit janë edhe 800 mijë euro të ndara nga Qeveria e Kosovës, të cilat do të përdoren për kompletimin e gjithë projektit.

“Aktualisht janë investuar në këtë kompleks mbi 1 milion e 500 mijë euro, duke përfshirë rrugën nga Shtimja që quhet rruga “Uilliam Uoker”, me trotuaret, ndriçimi dhe kompleksi i varrezave. Edhe në vitin 2010 ne kemi planet që 800 mijë euro të investohen në kompleks, janë të gjitha këto mjete të cilat i ndan Qeveria e Republikës së Kosovës për të realizuar komplet projektin e kompleksit memorial”, ka thënë naim Ismajli, kryetar I komunës.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve për komunën e Shtimes, Muhamet Bilalli, ka potencuar se mos rregullimi i kompleksit të varrezave të dëshmorëve ka ardhur për shkak të mos caktimit të lokacionit, pasi ka pasur propozime që vendi i ngritjes së kompleksit të jetë në Shtime dhe në Mollapolc.

“Qeveria lokale ka qenë dhe është e gatshme të ndihmojë. Tani i ka diku rreth 100 mijë euro të zotuara për kompleksin e varrezave të dëshmorëve që do të fillojë. Gurthemeli do të vendoset më 17 shkurt, në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, ka bërë të ditur Bilalli. Ndryshe, në kompleksin e varrezave të martirëve janë të vendosur 44 civilë të vrarë në masakrën e Reçakut, ndërkaq në kompleksin e varrezave të dëshmorëve do të jenë të vendosur 27 dëshmorë nga komuna e Shtimes dhe ajo e Ferizajt.

Masakra e Reçakut ndodhi më 15 janar të vitit 1999, ditë ku përveç masakrimit të civilëve, në mbrojtje të viktimave kanë rënë heroikisht edhe 11 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Reçaku në historinë më të re të Kosovës është një nga ngjarjet që pati ndikimin më të fuqishëm në rrjedhat e atëhershme të luftës, e cila mori edhe mbështetjen ndërkombëtare dhe mandej ndryshuan rrjedhat e historisë për Kosovën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›